Gjidhënia në publik, proces i të ushqyerit, jo turp!

Prishtinë | 05 Jan 2017 | 11:17 | Nga

Si nënë e re, Krenare Salihu, rrëfen se ka pasur paragjykime të shumta në rastet e ushqyerjes së foshnjës së saj në vendet publike, duke thënë se vështrimet e të tjerëve me habi se si dikush ushqen foshnjën e saj pa komplekse e kanë bërë atë të ndërrojë vendin ku ajo qëndronte.

“Ka pasur raste kur vajzën time e kam ushqyer në ndonjë vend publik, pasi që ushqimi është pika kyçe në zhvillimin e foshnjës dhe nuk do e kisha lënë asnjëherë qe fëmiu im te qajë si shkak i vonesës së ushqyerit. Edhe pse shumë të afërt rreth meje më kanë kritikuar pasi ky ‘gjest’ nuk po tregon respekt ndaj shoqërisë, unë prap nuk e kam lënë vajzën të më qajë, mirëpo pranoj që e kam ndërruar vendin, ka pasur raste kur kam hyrë në makinë vetëm që t’ju shmangem shikimeve apo edhe kam praktikuar mënyra tjera të ushqyerit”, thotë Salihu.

Dafina Krasniqi, koordinatore e programeve në “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” (AMC – Action for Mother and Children), organizatë kjo që i trajton problemet që kanë të bëjnë me shëndetin e nënave dhe fëmijëvë, thotë se paragjykimet dhe mendimi se procesi i gjidhënies është turp, janë eminente si në vendet rurale ashtu edhe në qytete, ku ushqimi i fëmiut shihet si akt joestetik e jo si nevojë fiziologjike ku duhet të adresohet menjëherë. Përkundrazi, Krasniqi thotë se fjalët e paragjykimet e tilla ndikojnë negativisht si në shëndetin e foshnjës ashtu dhe të nënës.

“Marrë parasysh depresionin postpartal, ka shumë faktorë që ndikojnë që nënët mos ta tejkalojnë atë ndryshimin në disponim që i vjen menjëherë pas procesit të lindjes, mandej kur ky ndryshim nuk tejkalohet, ballafaqimi me paragjykime të tilla ndikon në çdo proces që vjen gjatë rritjes së fëmiut dhe po ashtu i ndikon edhe më keq nënës edhe përkeqësimit të depresionit nëse ajo veç ka filluar me e eksperiencuar”, pohon Krasniqi.

Megjithatë, I.M (emër i njohur për redaksinë), thotë se gjatë rritjes së tre fëmijëve të saj ajo asnjëherë nuk ka pranuar të ushqejë fëmijët në vendet publike, raporton KosovaLive.

“Jo, asnjëherë nuk kam ushqyer e as nuk do ushqeja fëmijët para dikujt tjetër se më së pari e shoh si respekt ndaj shoqërisë e së dyti nuk isha ndier rehat me veten nëse kisha ushqyer fëmiun tim në vende publike”, thotë I.M.

Krasniqi po ashtu thotë se është zgjedhje e vetë nënës nëse ajo dëshiron ta ushqejë fëmiun në vendet publike apo jo, për më tepër ajo e sheh si kurajo kur nëna e praktikon ushqimin me gji.

“Nëse nëna e zgjedhë me e praktiku në publik gjidhënien nuk besoj se ka ndonjë normë ose ndonjë rregull e cila do ta kishte ndaluar, përkundrazi nëse e këqyrim nga aspekti shëndetësor inkurajohet që nëna të ja jep kujdesin fëmiut të saj pa marrë parasysh prej vendit ku është. Në qoftë se ajo është në gjendje ta ushqejë fëmiun, që është fatmirësi për nënat, atëherë duhet me pasë guximin ta praktikojë”.

Doktor Samedin Rexhepi, pediatër në Komunën e Lipjanit, thotë se është shumë njerëzore dhe e preferueshme ushqyerja e fëmiut pa marrë parasysh nëse nëna gjendet në ndonjë vend te rrethuar me njerëz.

“Nuk është mëkati, kurrfarë shkelje, kurrfarë krimi, kurrfarë shkelje e normës, përkundrazi është një ndjenjë, një gjest, një veprim human, ushqyerja e fëmiut është diçka e domosdoshme. Kemi të bëjmë me të ushqyerit e aspak me reklamim”, shprehet Rexhepi.

Megjithatë, shtyerja e ushqimit te fëmiut për disa orë për shkak të mosprishjes së qetësisë në ambientet e hapura apo si shkak i tendencës së ikjes së vështrimeve e paragjykimeve të të tjerëve, mund të ndikojnë negativisht në shëndetin e foshnjës.

“Nuk ndikon nëse është për një kohë të shkurtër, vetëm prishje e disponimit, por në qoftë se për një kohë më të gjatë fëmiu nuk ushqehet, shembull disa orë dhe nëse të vetmin burim të ushqimit e ka gjirin ndikon negativisht te foshnja. Varet edhe prej klimës, kushteve atmosferike, varet edhe prej sezonës; nëse jemi gjatë sezonës së verës, në vapë të madhe, fëmiu mundet të dehidrojë, nëse nuk e merr gjirin, pasi që e vetmja mundësi për me e mbajtë homeostazën ose ekuilibrin e lëngjeve është të ushqyerit,” shtoi Rexhepi.

Kuvendi i Republikës së Kosovës, në bazë të nenit 65(1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës miration ligjin e mbrojtes së ushqyerit me qumësht gjiri: “Ky ligj mbron të ushqyerit me qumësht gjiri përmes inkurajimit dhe promovimit të tij dhe kufizimeve në marketingun e produkteve të caktuara, të definuara sipas këtij ligji, për ushqim të foshnjave dhe fёmijёve tё vegjël.”

Edhe pse për shkak te shmangies së paragjykimeve nënat mund të mos ndihen rehat në ushqyerjen e bebeve të tyre në vendet publike, është e këshillueshme që ato të jenë të guximshme dhe të kenë ushqyerjen e foshnjave si prioritet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme