Arbëreshë Kryeziu Hyseni, zyrtare nga GreenArtCenter në Gjilan, në një intervistë për programin e mëngjesit në Radio Televizion e Kosovës (RTK) foli rreth projektit të riciklimit të mbeturinave në komunën e Gjilanit “Gjilani riciklon”.
GreenArtCenter në bashkëpunim me Drejtorinë e Zhvillimit Ekonimok në komunën e Gjilanit, Drejtorinë për Arsim dhe GIZ-in gjerman kanë filluar fazën e dytë të projektit për riciklimin e mbeturinave “Gjilani riciklon”.
Rreth implementimit të fazës së parë të projektit, Fazliu-Hyseni bëri të ditur se ai ka nisur në fillim të muajit tetor 2015 dhe ka zgjatur përafërsisht dhjetë muaj. Gjatë kësaj kohe GreenArtCenter në bashkëpunimin me GIZ-in kanë bërë kampanja vetëdijësuese për ndarjen e mbeturinave të riciklueshme.
“Fokusi ka qenë në 15 shkolla të mesme dhe fillore dhe në tetë institucione komunale. Vullnetarisht janë fut në projekt edhe konvikti i studentëve dhe shkolla “Don Bosko”, sepse e kanë parë që projekti ka qëllim shumë të mirë”, njoftoi zyrtarja nga GreenArtCenter.