Gjilan: Klubi i lexuesve të bibliotekës emërtohet me emrin Agon Musliu

Prishtinë | 10 Maj 2020 | 14:35 | Nga Ekonomia Online

Agon Musliu më nuk është në mesin tonë, por duket se emri i tij do të jetoj gjatë. Duke qenë se i ndjeri ishte pasionant i madh i librit dhe dy herë i shpallur lexuesi i vitit i bibliotekës “Fan S. Noli”, kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, e ka emërtuar klubin e lexuesve “Agon Musliu”.

Këtë vendim, Haziri e ka marrë dje, në ditën e Europës.

“Në ditën e Europës, e kam emërtuar klubin e lexuesve të librit “Agon Musliu”, në bibliotekën regjionale “Fan S. Noli”, në shenjë respekti dhe nderimi për fugurën e tij. Shpirti i Agonit bën dritë. I them babait të tij, Naimit, që të mbahet i fortë”, ka thënë Haziri, për Mediafokus.info.

Ky vendim i të parit të Gjilanit është bërë pasi e themeloi Qendrën Kulturore Europiane, e cila do ta ketë selinë në bibliotekën “Fan S. Noli”.

Haziri ka bërë të ditur se ceremonia zyrtare do të bëhet në një kohë më të përshtatshme.

Vdekja tragjike e Agon Musliut ka tronditur opinionin kosovar, derisa ka ngjallur debat të madh për atë se a është dashur të vendoset në karantinë apo jo.

Babai i tij, Naim Musliu, për vdekjen Agonit e ka bërë përgjegjës kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe u.d. ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Svecla.

Të ngjashme