Futbollistët e Besës nga Peja nuk mendojnë se e kanë vendin të luajnë në Ligën e Parë të Kosovës, por deri më tash nuk e kanë merituar as elitën.
Rastin e fundit për këtë vit që të sigurojnë pjesëmarrjen në Superligë për sezonin e ardhshëm e kanë të enjten (sot, 16:00).
Besa e Gjilani do të luajnë ndeshjen e barazhit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, për një vend në elitë. Skuadra që fiton sezonin e ardhshëm do të luajë në Superligë. Edhe një ndeshje e tillë është të shtunën dhe takohen Trepça ’89 e Vëllaznimi, shkruan sot Koha Ditore.
Besa sezonin e rregullt e mbylli në pozitën e tretë në Ligën e Parë, derisa Gjilani në pozitën e dhjetë në Superligë.
Mbrojtësi i Besës, Robert Gjeraj, thotë se ekipi i tij meriton të jetë pjesë e elitës së futbollit kosovar. Insiston se të gjithë futbollistët do të japin gjithçka nga vetja për ta mposhtur Gjilanin dhe kanë konfirmuar kthimin në elitë pas mungesës njëvjeçare. Për Besën ky edicion që sapo u mbyll ishte i pari në Ligën e Parë të Kosovës pas pavarësimit të futbollit më 1991. Besa është në mesin e skuadrave më të suksesshme në Kosovë, me tre tituj kampioni e tri kupa.