Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, dhe drejtori i USAID-it në Kosovë, James Hope, inauguruan sot objektin e ri të çerdhes në lagjen “Dardania”, e cila kap koston e 400 mijë eurove, përderisa është bashkëfinancuar në formatin 50 për qind Komuna dhe po aq USAID.
Në fjalën e tij kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka falënderuar drejtorin e USAID-it në Kosovë James Hope, Qeverinë dhe popullin amerikan, për mbështetjen në ndërtimin e kësaj çerdheje, e cila është më e madhja në rajon.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që sot po bëjmë inaugurimin e çerdhes në lagjen “Dardania”, që është organizuar në kuadër të programit “Qeveria për Qeverinë”, që përfaqësohet nga USAID. E falënderoj drejtorin James Hope, tashmë mikun e Gjilanit, me të cilin ne kemi nënshkruar partneritetin strategjik, meqë Gjilani është përfitues edhe i programeve të tjera. Por, ky projekt është shumë i veçantë sepse mjetet e qeverisë amerikane për herë kanë hyrë direkt në buxhetin e Komunës së Gjilanit, ku janë menaxhuar nga stafi ynë në bashkëpunim me përfaqësuesit e USAID-it”, ka thënë kryetari Haziri.
Ai më tej ka përmendur edhe projektet tjera të përbashkëta me USAID-in dhe qeverinë amerikane.
“Projekte të tjera që janë në kuadër të bashkëpunimit ka qenë edhe shkolla në fshatin Ponesh, investimi i rrugës në fshatin Livoç, programi i transparencës komunale dhe llogaridhënies në afat pesë vjeçar, por edhe programe të tjera që lidhen me komunitetin duke dashur që t’i japim mundësi të gjithëve. Ky investim dhe të gjithë të tjerët, do të ruhen dhe do të jenë në shfrytëzim të fëmijëve”, ka thënë kryetari Haziri.
Kurse drejtori i USAID-it në Kosovë, James Hope, ka thënë se ndjehet shumë i lumtur që ky projekt është investim direkt për komunitetin me një mbështetje dhe përkushtim të jashtzakonshëm të Komunës së Gjilanit.
“Falënderoj kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili ka bërë maksimumin që ky projekt të jetë pranë komunitetit këtu në Gjilan. Është shumë i rëndësishëm partneriteti i Gjilanit me USAID-in, me popullin amerikan dhe partneriteti i Gjilanit me qytetarët. Projekti është shumë i veçantë sepse ka lidhjen e drejtpërdrejtë të qeverisë amerikane dhe Komunës së Gjilanit. Kur primatin e ka marrë kryetari Haziri për investimin e këtij projekti për komunitetin, ka dëshmuar për qëndrueshmëri të investimit. Ne në USAID jemi shumë të lumtur që ishim në gjendje të ndihmojmë një vizion të lidershipit të Komunës dhe aritëm ta realizojmë”, ka thënë ai, duke potencuar se investimi në parashkollorët është investim në një të ardhme më të mirë dhe më të përgatitur të gjeneratave që vijne.
“Ky është një shembull shumë i mirë ku komuniteti paraqet nevojat e veta dhe Komuna ka qenë në gjendje t’i përgjigjet. Dhe me këtë ka të bëjë qeverisja lokale dhe udhëheqësia e mirë. Në këtë objekt do marrin mësimet e para më shumë se 100 fëmijë dhe t’ju gjendet në karrierën e tyre ”, shtoi Hope.