Me vendim të kryetarit të Gjilanit, njëherësh udhëheqës i Komitetit për parandalimin e përhapjes së COVID-19, janë mbyllyur shërbimet në Drejtorinë për Gjeodezi, Kadastër e Pronë.
“Vendimin e kam marrë për të preventuar përhapjen e COVID-19, derisa shërbimet do të rihapen sapo të krijohen kushtet. Kërkoj mirëkuptimin e qytetarëve”, ka thënë kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, në mbledhjen e rregullt online me Bordin e Drejtorëve.
Në këtë takim është diskutuar edhe për reformën në arsim, përmbylljen e vitit shkollor përfshirë edhe organizimin e testit të arritshmërisë dhe të maturës që do të mbahen në muajin gusht, sikurse edhe për fillimin e vitit të ri shkollor.
Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka konfirmuar se po punohet me kapacitete të limituara në administratën komunale, pasi një pjesë e zyrtarëve janë liruar në përputhje me rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Edhe në këtë takim, Haziri ka apeluar qytetarët që të mos dalin në vende publike pa maska dhe duke e mbajtur distancën sociale.