Gjilani me ajrin më të ndotur, moskontrolli teknik i veturave më i dëmshëm se vjetërsia e tyre

Prishtinë | 11 Nën 2018 | 08:09 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjilani është komuna me ajrin më të ndotur në Kosovë në periudhën e fundit, ndonëse shumë prej qytetarëve mund të mendojnë se Prishtina zë vendin e parë për këtë, thotë kryeshefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit (AMM), Ilir Morina, për Ekonomia Online.

Ndërsa, shton se Prizreni është komuna më pak e rrezikuar nga ndotja e ajrit. Ai ka thënë se nga të dhënat që përcjellin që nga viti 2012 bënë që të dinë vendet ku janë më të ndotura dhe burimet ndotëse.

Sipas Morinës, në Prishtinë, Obiliq, Fushë Kosovë deri në Lipjan, jo në çdo periudhë shkaktar i ndotjes së ajrit është KEK-u, pavarësisht se si burim i ndotjes në përgjithësi, qëndron si shkaktar i parë.

“Brenda dy-tri javëve të fundit më i ndotur ka qenë Gjilani, në bazë të aparaturave tona, se Prishtina. Prizreni, ende nuk ka pasur tejkalime apo ndotje që rrezikon sado pak shëndetin e popullatës, është në të gjelbër. Prishtina, në dy stacione ka dallime. Stacioni jonë, tek ndërtesa Rilindja ka ndotje më shumë sepse është në qendër të Prishtinës, kurse stacioni tek instituti hidrometeorologjik më në periferi është për një nuancë më e lehtë. Pastaj, Hani i Elezit, ka ditë që është, ndoshta aty është pak edhe ndërtimi i rrugës, ka ndotje mjaft ekstreme”.

“Si ndotës, si burim është KEK-u, pastaj vjen transporti. Varësisht se si digjen lëndët djegëse, ai është ai bilanci energjetik, sa digjet thëngjill, sa digjet naftë, sa digjet benzinë dhe dru dhe forma të tjera. Mirëpo, gjatë kohës së dimrit, tani që po fillon shfrytëzimi i ngrohtores i secilës shtëpi ose banesë, normal që secili ka ndezë në mënyrë automatike ose manuale stufat e instaluara që i ka nëpër ndërtesa ose nëpër banesa dhe normal që kjo djegie lirohet pa asnjë filtër, asnjë shtëpi nuk e ka ndonjë filtër dhe në bazë të oxhakut dalin përjashta ato gazra”.

“Të gjithë ato gazra e përbëjnë një shumë, që ne përafërsisht po i ndajmë në 30 deri 40 për qind e ndotjes në qytet, në viset urbane vjen nga këto ndezjet që i bëjmë ne si qytetarë. Për ngrohje një shumë prej 25 deri në 35 për qind sillet transporti”.

Kryeshefi i AMM-së, ka thënë se burimet e ndotjes nuk janë duke u zvogëluar, mirëpo sipas tij, gjithçka varet nga moti. Ai ka thënë se ka pasur dyfishim të tejkalimeve të standardeve të ndotjes së ajrit, por që megjithatë nuk janë ekstreme.

Sipas tij, duhet investuar më shumë në kogjenerimin e energjisë, në shfrytëzimin e formave të ndryshme të energjisë, qoftë edhe të energjisë elektrike, kurse është shprehur se nuk po bëhet sa duhet as nga komunat që të parandalojnë ndotjen e ajrit, si atë nga format e ngrohjes gjatë sezona së dimrit.

Megjithatë, duhet kohë që gjëra të tilla të implementohen, shprehet ai, raporton EO.

“Kemi pasë gjatë tetorit, 6 ditë tejkalime, a gjatë vitit janë të lejuara 35 ditë. Do të thotë ka filluar ndotja, por nuk është ndotje ekstreme, nuk është për tu shqetësuar, është ndotje që edhe organizmat i rezistojnë. Mirëpo është shqetësues që po ndodh çdo vit”.

“Komunat, unë mendoj, deri më tani nga monitorimi që e bëjnë janë duke bërë pak. Komunat dhe kryetarët e komunave duhet të interesohen më shumë për shërbime më të mira dhe cilësore, po edhe për shëndetin e popullatës së tyre, sepse ka forma të ndryshme të organizimit ose të ndërtimit të ngrohtoreve edhe në fshat, për një lagje. 10 shtëpi së bashku mund të kenë një stufë edhe me qymyr me qenë, më mirë një stufë se 10 stufa”.

“Nuk është luks të investohet në këtë drejtim, mirëpo mungon koncepti i trurit të një shteti të varfër që të ndërtohet në gjëra të tilla që ndikojnë pozitivisht në shëndetin e njeriut”.

Ai ka thënë se çështja e vjetërsisë së automjeteve dhe një vendim i mundshëm i Kuvendit të Kosovës për ndalimin e importit të automjeteve më të vjetra se 10 vjet, nuk është problem kryesor që e shkakton ndotjen e ajrit.

Me rëndësi sipas AMM-së është që të shikohet kontrolla teknike, sepse prej aty, sipas tij, mund të parandalohet ndotja e ajrit, raporton EO.

“Me këqyrë në mënyrë profesionale, Agjencia e Mjedisit, mendon që nuk është me rëndësi a futet automjeti 10, 12, 15 vjet brenda, por është me rëndësi kontrolla teknike e tij ose gjendja teknike. Ligji i mjedisit dhe rregullorja në fuqi, shumë pak njerëz e dinë, thotë që në kontrolle teknike, dokumentet e kontrollit teknike duhet t’i bashkëngjitet një certifikatë mjedisore”.

“Ajo certifikatë mjedisore, kur shkon personi ta regjistrojë automjetin në Qendrën e Regjistrimit, personi zyrtar duhet ta kërkojë atë dokument. Unë kam pyetur punëtorët e agjencisë, ‘A i kërkoni?’, thotë jo, nuk e dimë që ekziston dhe aty çalon situata”.

“Domethënë kontrollat teknike nuk masin, nuk lëshojnë certifikatë mjedisore, Qendra e Regjistrimit dhe Ministria e Punëve të Brendshme nuk e kërkon dhe ne pajisemi e regjistrojmë automjetin edhe për një vit me dokumente normale, me një automjet që liron gazra shumë më shumë se që është e lejuar”.

“Nuk është në pyetje a futen automjetet 15 vjet apo 10, po a futen automjetet që i plotësojnë kushtet ambientale apo jo. Këtu është pyetja për në. Problemi është që ka shumë automjete që janë më të reja se 10 vjet dhe nuk i plotësojnë standartet për të dalë në rrugë”.

Të ngjashme