Gjilani me donatorët inaugurojnë dy shtëpi të reja për familjet në nevojë

Prishtinë | 14 Gus 2018 | 16:11 | Nga

Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me donatorët, ka inauguruar sot dy shtëpitë e reja për familjet me gjendje të rëndë sociale, përkatësisht për familjen e Nazmi Ilazit nga Livoç të Epërm (renovim i plotë) dhe për familjen e Shaban Zahirit.

Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, pasi ka falënderuar donatorët për solidaritetin, ka thënë se përfundimi i këtyre dy shtëpive arrin në 65 sosh për familjet në nevojë, pas Gala Mbrëmjes humanitare “Pak nga ne, shumë për ata”, e cila është realizuar me iniciativën e tij në tetorin e vitit 2014.

“Jam krenar që sot inauguruam shtëpinë e renovuar tërësisht për familjen shtatë anëtarëshe të Nazmi Ilazi në Livoç të Epërm, pesë prej të cilëve janë me hendikep dhe shtëpinë e Shaban Zahirit, i cili ka pesë anëtarë dhe njëri ende ka nevojë për tretman të veçantë. Falënderoj pesë donatorët, bashkatdhetarë nga Zvicra, në rastin e ndërtimit të shtëpisë së Shabanit, në kuadër të aksionit të madh “Pak nga ne, shumë për ata”, ka thënë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, pas inaugurimit.

Haziri ka njoftuar se Komuna është duke e bërë gati edhe një banesë për një nënë vetëushqyese, ndërkaq ka theksuar se janë ndarë 36 mijë euro për shoqatat që janë të specializuara për t’i trajtuar fëmijët me nevoja të veçanta.

Ndërkaq, Shaban Zahiri është shprehur tejet i emocionuar, duke falënderuar kryetarin Lutfi Haziri dhe donatorët që e bën me kulm mbi kokë.

Gjatë inaugurimit, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka apeluar të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që të vazhdojnë të bëhen solidar për t’u dalë në ndihmë familjeve me probleme të banimit dhe strehimit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme