Gjilani nis fushatën kundër ndezjes së zjarreve

Prishtinë | 08 Kor 2016 | 16:08 | Nga

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim e Komunës së Gjilanit ka nisur fushatën kundër ndezjes së zjarreve fushore dhe zjarreve të tjera që shkaktojnë rrezik të përgjithshëm për qytetarët dhe ekonomitë familjare me moton, “Mos ndiz zjarr që shkakton rrezik të përgjithshëm”.

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ensar Kadriu, ka thënë se siguria për qytetarët dhe ekonomitë familjare janë prioritet i Komunës së Gjilanit. Ai ka apeluar qytetarët që të kenë kujdes më të shtuar se sa gjatë stinëve të tjera të vitit sepse, sipas tij, mundësia e përhapjes së zjarrit është më e madhe tani se sa në çdo kohë tjetër, ndërsa dëmet do të mund të jenë shumë të mëdha.

“Ndezja e një zjarri në çfarëdo forme është potencial i shkatërrimit dhe humbjeve të mëdha në fushën e bujqësisë, pyjeve, por edhe në rrezikim të ekonomive familjare, jetës së njeriut, por edhe ndotjes së ambientit. Prandaj, të gjithë të jemi të bashkuar në këtë fushatë e cila mbështetet nga të gjitha drejtoritë komunale, nga shërbimi i zjarrfikësve, por edhe nga organet e rendit si Policia e Kosovës dhe organet e drejtësisë”, ka thënë Kadriu gjatë prezantimit të fushatës vetëdijesuese kundër zjarreve.

Kadriu ka kërkuar po ashtu bashkëpunimin e qytetarëve në raportimin sa më të shpejtë të zjarreve dhe në denoncim të personave të papërgjegjshëm të cilët ndezin zjarret.

Edhe Kodi Penal i Kosovës, sanksionon me burg nga gjashtë deri në pesë vjet, të gjithë ata që shkaktojnë rrezik të përgjithshëm përmes ndezjes së zjarreve.

gjilani - zjarri

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme