Komuna e Gjilanit do të detyrohet t`i paguajë afro 9 milionë euro për shpronësimet e tokave, ku janë ndërtuar rrugë.
Pronarët, tashmë i janë drejtuar gjykatës, duke kërkuar që kjo çështje të marrë pilog.
Zyra e Avokatit të Komunës së Gjilanit në raportin e saj ka shprehur shqetësimin se buxheti i Komunës do të rrezikohet edhe më shumë ngase palët përpos kompensimit për shpronësime në gjykatë po kërkojnë edhe kompensimet për avokatët të cilët i kanë angazhuar dhe kamatën ligjore, shkruan sot Koha Ditore.
Përgjegjësi i kësaj zyre, Arben Mehmeti, ka deklaruar se çdo qeverisje komunale e cila synon hapjen e rrugëve të ndryshme duhet të përfundojë edhe procedurat me shpronësimet dhe të bëhet edhe bartja e pronave në emër të Komunës.
“Problem mbetet zgjidhja e çështjes së shpronësimeve që kanë ndodhur para luftës dhe pas luftës. Hapja e rrugëve të ndryshme nuk duhet të ndodhë pa përfunduar shpronësimet dhe pa u bërë bartja e tyre në emër të Komunës. Përpos kompensimeve për shpronësime, palët në gjykatë po kërkojnë edhe kamatën ligjore dhe kompensimet për avokatë. Të gjitha këto e rëndojnë buxhetin e Komunës”, ka thënë ai.
Sipas tij, problem tjetër i cili është trashëguar është edhe menaxhimi i dobët i kontratave, të cilat janë lidhur në periudha të ndryshme.