Komiteti për Politikë dhe Financa në komunën e Gjilanit ka miratuar të martën raportin financiar për periudhën janar-dhjetor 2016, propozim-vendimin për bartjen e mjeteve financiare nga të hyrat vetanake të pashpenzuara të viteve 2015 e 2016, në vitin fiskal 2017, propozim-vendimin për rritjen e buxhetit nga tejkalimi i të hyrave vetanake të planifikuara në vitin 2016.
Po ashtu ka aprovuar Strategjinë për Zhvillim socio-ekonomik lokal 2017-2021, propozim-vendimin për ndarjen e mjeteve për subvencionimin e stafit teknik dhe aktiviteteve socio-kulturore në Teatrin e Gjilanit si dhe propozim-vendimin për subvencionim të aktiviteteve të Qendrës për kujdesin ditor “Pema” në Gjilan.
Komuna e Gjilanit, vjet ka realizuar një buxhet prej 22 954 774 euro, ose mbi 1.6 milion më tepër se buxheti fillestar i planifikuar. Buxheti i planifikuar, është shpenzuar më pak për 1 158 637 euro.
Sa i përket bartjes së mjeteve nga viti fiskal 2015 dhe 2016 në vitin fiskal 2017, Zijadin Maliqi, drejtor financiar, ka sqaruar se bëhet fjalë për 1 285 441 euro që kanë mbetur të pashpenzuara.
Përndryshe, buxhetit të këtij viti do t`i shtohet edhe shuma prej 227 089 euro, mjete këto nga tejkalimi i të hyrave vetanake të planifikuara për vitin 2016, ka thënë Maliqi.
Nevzad Isufi (VV) ka thënë se planifikimi duhet të jetë më i mirë, në mënyrë që në fund të vitit fiskal të mos mbeten mjete të pashpenzuara, ndërsa dihet që nevojat për subvencione janë të mëdha.
Zijadin Maliqi ka sqaruar se çdo herë mbeten mjete të pashpenzuara, për shkak se nuk arrihet të përmbyllen projektet, prandaj duhet të barten në vitin vijues, meqë mjetet për investime nuk mund të ri-destinohen për nevoja të tjera.
KPF ka shqyrtuar dhe miratuar edhe strategjinë për zhvillim socio-ekonomik lokal 2017-20121, që parasheh realizimin e më se 87 projekteve të ndryshme gjatë periudhës së ardhshme pesëvjeçare.
Agim Zuzaku, drejtor për Zhvillim Ekonomik, ka thënë se përmes kësaj strategjie synohet realizimi i prioriteteve më të rëndësishme, të cilat janë identifikuar në bashkëpunim me qytetarët dhe drejtoritë komunale.
Komiteti për Zhvillim Ekonomik ka propozuar edhe tri projekte tjera dhe sipas Zuzakut, do të shikohet mundësia që edhe ato të përfshihen në këtë strategji.
Po ashtu, KPF ka miratuar edhe propozimet për ndarjen e mjeteve për Teatrin, për subvencionimin e stafit teknik dhe aktiviteteve socio-kulturore, në vlerë prej 22 416 euro, përkatësisht për Qendrën “Pema”, e cila merret me kujdesin ditor të fëmijëve.
Bujar Nevzati (PDK) ka pyetur nëse kërkesa për ndarjen e subvencioneve për teatër ka të bëjë edhe me aktorët, apo vetëm me stafin teknik, duke thënë se ky projekt është dashur të vinte më herët, kur dihet gjendja në këtë institucion sa i përket financimit, e cila ka mundur të zgjidhet deri tani, por kjo nuk është bërë.
Nevzad Rushiti (LDK) ka thënë se kërkesa është e qartë dhe ka të bëjë vetëm me stafin teknik. Sipas tij, gjendja në teatër, është pasojë e mos zgjidhjes me kohë të statusit të këtij institucioni nga niveli qendror. “Ne ju kemi përgjigjur kërkesave të teatrit gjatë këtyre ti viteve, por kjo nuk është zgjidhje”, ka thënë Rushiti.
Bujar Haziri, ushtrues i detyrës së drejtorit të Teatrit, ka sqaruar se obligimet për vitin 2016, janë kryer si ndaj stafit teknik ashtu edhe aktorëve. Kërkesa ka të bëjë me obligimet ndaj stafit teknik për këtë vit, ka thënë ai.
Kurse sa i përket subvencioneve për shoqatën “Pema”, Valentina Bunjaku-Rexhepi ka thënë se kjo shoqatë është financuar nga donatori deri më tani, ndërsa tani e tutje duhet të subvencionohet nga Komuna, meqë donacionet kanë përfunduar.
Nevzad Isufi (VV) ka thënë se kërkesa për mjete duhet të specifikohet, ndërsa shpenzimet duhet të arsyetohen. Përndryshe, Isufi ka thënë se është më se nevojshme që në subvencione të përfshihet edhe “Handikosi”.
Avdyl Aliu (LDK) ka thënë se KPF duhet ta mbështes dhe rekomandojë për Kuvend Komunal kërkesën e shoqatës “Pema”, por pa e përcaktuar shumën e subvencioneve.
Sa i përket shumës së kërkuar, Bunjaku-Rexhepi ka thënë se për këtë do të vendos Kuvendi, duke premtuar se koordinatorja e shoqatës do të ftohet në seancë, që të jap sqarime në pyetjet e asamblistëve rreth aktiviteteve të “Pemës” dhe planit për shpenzimin e mjeteve.
Ajo tha se ka biseduar edhe me përfaqësuesit e “Handikosit” në lidhje me subvencionet. “Do të ndihmohet edhe kjo shoqatë, pasi të sjellë projektin, të cilin janë duke e përgatitur”, ka thënë Bunjaku-Rexhepi.