Presidenti i Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë (MSA) Dragan Gjilas tha se nuk ishte i saktë pretendimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq se askush tjetër nuk kishte një plan për Kosovën, dhe kujtoi se partia e tij në maj paraqiti Deklaratën e saj të pajtimit, që nënkupton normalizimin e marrëdhënieve midis dy kombeve.
Sipas tij, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, Aleksandar Vuçiq nuk është i përfshirë në atë plan, “sepse ai nuk e di se çfarë do të thotë fjala pajtim”.
“Plani ynë nënkupton që ai nuk duhet të jetë më në pushtet, sikurse miqtë dhe partnerët e tij në Kosovë, Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi”, u ka thënë Gjilas gazetarëve në Serbi.
Gjilas tha se plani parashikon që njerëzit që kanë kryer krime lufte ose kanë nxitur kriminelët nuk mund të marrin pjesë në procesin e pajtimit, pasi pajtimi është i pamundur me njerëz të tillë, pasi një fjalë e tillë nuk ekziston në fjalorin e tyre.
Ai vlerëson se nuk është e mundur të arrihet një marrëveshje e statusit përfundimtar në këtë kohë sepse shqiptarët këmbëngulën për pavarësi dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare i mbështet ata.
Për këtë është e nevojshme, sipas tij, të insistohet në normalizim, që do të thotë përfundimin e provokimeve, heqjen e taksave, duke mundësuar lëvizjen e lirë, si dhe zgjidhjen e çështjeve të tjera që tani janë në diskutim.
Ai tha se bashkëbiseduesit e mundshëm për planin janë kushdo që dëshiron ta pranojë atë dhe se është i përkthyer edhe në shqip.
“Kjo është mënyra e vetme. Ata janë përpjekur për shtatë vjet me Vuçiqin. A kanë arritur ndonjë gjë?”, shtron pyetjen Gjilas, duke shtuar se kjo mund të zgjidhet vetëm pa njerëz që janë të ngarkuar nga e kaluara.