Organizata “Let’s Do It Kosova” thotë se tashmë kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për organizimin e aksionit të madh “Ta Pastrojmë Kosovën”, i cili të shtunën dhe do të vazhdojë tre muaj, deri më 15 dhjetor të këtij viti.
Aksioni “Ta Pastrojmë Kosovën”, i organizuar nga Let’s Do It Kosova dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të fillojë nga ora 10:00, në shumicën e komunave të Kosovës (në Prizren nis në ora 09:00). Ndërsa, i njëjti aksion në Mitrovicë dhe në Junik do të organizohet të dielën, po ashtu duke filluar nga ora 10:00.
“Let’s Do It Kosova” iu ka bërë thirrje të gjithë vullnetarëve në Prishtinë që sot duke filluar nga ora 08:30 të dalin te sheshi “Zahir Pajaziti” për t’u pajisur me materiale logjistike dhe pastaj në mënyrë të organizuar të shpërndahen në 14 pikat që do të pastrohen në Prishtinë.
Në Prishtinë, manifestimi qendror do të mbahet nga ora 10:00 në lagjen “Kalabria”, ku do të pastrohet një deponi e madhe e mbeturinave nga Kompania “Kawa Group”, e cila i është bashkuar aksionit. Hapjen e aksionit do të bëjë kryeministri Ramush Haradinaj.
Në të njëjtën mënyrë do të veprojnë edhe vullnetarët e të gjitha qyteteve në Kosovë, të cilët do të bëjnë shpërndarjen e materialeve logjistike dhe shujtave. Për aksionin e sotëm, deri më tani janë shpërndarë 150 mijë thasë dhe maica, derisa do të ketë shujta ushqimi falas për vullnetarët.
“Let’s Do It Kosova” ka organizuar edhe një qendër të thirrjeve, e cila do të jetë aktive gjatë tërë ditës, duke informuar për numrin e vullnetarëve që po marrin pjesë dhe mbarëvajtjen e aksionit.
Aksioni “Ta Pastrojmë Kosovën” nga data 15 shtator deri më 15 dhjetor 2018 realizohet në kuadër të “Ditës së Pastrimit të Botës” që organizohet nga Lëvizja Globale “Let’s Do It World”, ku synohet që në rreth 200 shtete të botës të mobilizohen mbi 5 për qind të popullsisë botërore që do të pastrojnë për një ditë.
Në Kosovë, kjo fushatë është iniciuar nga “Ta Pastrojmë Kosovën” dhe përkrahet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila ka krijuar Task Forcën me aktorët e tjerë relevantë. Për aksionin e madh “Ta Pastrojmë Kosovën”, i cili do të zgjasë tre muaj tashmë janë krijuar edhe Task Forca në 32 komuna të Kosovës.
“Ta Pastrojmë Kosovën” iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që në mënyrë të organizuar të bëhen pjesë e aksioneve për pastrimin e Kosovës. Të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e aksionit si vullnetarë, këtë mund ta bëjnë duke u regjistruar në faqen www.tapastrojmekosoven.org