Arabia Saudite ka thënë të hënën se do të vendosë gjoba deri në 133,000 dollarë nëse njerëzit nuk raportojnë informacionet mbi gjendjen shëndetësore dhe të dhënat për udhëtimet e fundit në pikat kufitare, transmeton agjencia e lajmeve Reuters.
Ky është vetëm një prej vendimeve të marra nga ky shtet i Gjirit Arab, teksa tenton të parandalojë përhapjen e koronavirusit të ri.
Mbretëria Saudita ka izoluar përkohësisht provincën e saj lindore, Katif, pasi 15 persona janë infektuar me virus. Disa prej tyre nuk kanë treguar se kanë udhëtuar fillimisht në Iran, para se të ktheheshin në Arabinë Saudite.
Zyrtarët sauditë kanë thënë se shumica e individëve të prekur me koronavirus janë kthyer nga Irani apo Iraku, apo kanë qenë në kontakt me personat që kanë vizituar Republikën Islamike.
“Të gjithë udhëtarët që arrijnë në Mbretëri përmes fluturimeve ndërkombëtare, duhet të respektojnë urdhrin lokal dhe atë ndërkombëtar”, është thënë në deklaratën e Prokurorit Publik saudit.
Ai ka thënë se dënimi prej 133,000 dollarëve do të aplikohet nëse personat nuk zbatojnë rregullat, duke thënë se profesionistët e transportit do të mbahen përgjegjës për çfarëdo shkelje.
Mbreti saudit, Salman ka ndarë 10 milionë dollarë për të mbështetur përpjekjet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për ta luftuar këtë virus, ka thënë agjencia shtetërore e lajmeve, SPA, transmeton REL.
Aktualisht është raportuar për më shumë se 110,000 persona të infektuar me koronvirus në gjithë botën, ndërkohë që 3,800 persona kanë vdekur nga kjo sëmundje.
Ky virus përcillet me temperaturë, koll të thatë dhe probleme me frymëmarrje.