Policia e Shtetit të Shqipërisë ka bërë të ditur se 1,118 shtetas janë gjobitur me nga 3.000 lekë për mosmbajtjen e maskave dhe 194 që udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskat mbrojtëse.
Gjithashtu janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 4 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00, raporton Tch.
Lexoni më poshtë njoftimin e Policisë së Shtetit në Shqipëri:
Ndëshkohen me masë administrative 1316 shtetas që nuk zbatuan masat antiCOVID, gjatë 48 orëve të fundit. Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Gjatë 48 orëve të fundit, Patrullat e Përgjithshme kanë ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë, 1118 shtetas që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse. Shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndëshkuar me të njëjtën masë administrative, 194 shtetas që udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskat mbrojtëse. Gjithashtu janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 4 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00. Në zbatim të masave antiCOVID, Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që të respektojnë orën policore, të vendosin maskën dhe të ruajnë distancimin social, ndërsa subjektet tregtare, lokalet dhe restorantet të respektojnë protokollet e sigurisë dhe orarin e mbylljes, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.