Një ditë pas zgjedhjeve lokale, Lidhja Demokratike e Kosovës, BIRN, dhe Internës Kosova, kanë parashtruar ankesë ndaj Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan. Ketë ankesë e ka aprovuar Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP.
Sipas ankesës, pretendohet se komisionierja e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, Xhezide Selimi ka bërë postimin dhe shpërndarjen e materialeve zgjedhore në rrjetin social facebook, ku ka postuar një fotografi duke votuar, ku nëpërmjet të cilës ka ftuar qytetarët që të dalin dhe të votojnë numrin 144.
Vetëvendosje është munduar të arsyetohet se ajo nuk është komisionere e saj.
“Nga shkresat e lëndës, shihet se subjekti polik Lëvizja Vetëvendosje, përkatësisht komisionierja e këtij subjekti, Xhezide Selimi, gjatë ditës së votimit, në rrjetin social facebook, ka bërë fushatë zgjedhore dhe ka udhëzuar që të votohet subjekti politik LVV. Pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosje se nuk vërtetohet se Xhezide Selimi është komisioniere e LVV-së, Paneli i vlerëson të pa bazuar për arsyeje se nga fotoja e paraqitur në ankesë, shihet se e njëjta bartë ID, me të cilën identifikohet si komisioniere. PZAP ka bërë kërkesë në KQZ, për të verifikuar komisionieren në fjalë në Gjilan. Paneli, vendimin e tij e mbështetë në dëshmi të qarta dhe bindëse, konform nenit 117 të LZP-së”, thuhet në vendimin e PZAP-së.
Andaj Paneli, duke iu referuar provave, konstaton se LVV, përkatësisht komisionierja e saj është përgjegjëse për veprimet e saj, pasi ka shkelur nenin 36, paragrafi 1, pika b të LZP.
Më këtë rast paneli i ka shqiptuar LVV-së një gjobë prej 1000 euro, shkruan lajmi.net.
Ndërkohë PZAP, të njëjtës ia ka ndaluar pjesëmarrjen në zgjedhje, si kandidate, apo si pjesë admistrative e ndonjë organi zgjedhor për pesë vite.