Curr Gjocaj do të udhëheqë me Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës edhe tri vite. Bordi i këtij institucioni, i cili është pa mandat që nga 28 janari i këtij viti, ka vendosur që rizgjedhjen e Gjocajt ta bëjë pa konkurs, shkruan sot Koha Ditore.
Gjocaj emri i të cilit për herë të parë është dëgjuar në aferën “Pronto” dhe që në publik njihet si “daja” i Adem Grabovcit do të udhëheqë deri në qershor të vitit 2020 institucionin i cili është i njohur për shumë skandale. Vlerësimin për performansën e mirë të Gjocajt, bordi e kishte bërë më 25 janar 2017, tri ditë para se t’i përfundojë mandati. Kurse vendimin e ka marrë i njëjti bord gati gjashtë muaj më vonë, më 30 maj.