Gjoshi: Kurti po e shndërron Kosovën në një republikë komike

Prishtinë | 29 Tet 2022 | 11:31 | Nga Ekonomia Online

Sekretari i PDK-së, Betim Gjoshi, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për sjelljet ndaj SHBA-së.

Ai ka thënë se Kurti më shumë se me Serbinë po bën betejë me partnerët ndërkombëtare të Kosovës.

Sipas tij, në këtë mënyrë kryeministri po e shndërron Kosovën në një republikë komike

“Prej disa muajsh, Albin Kurti, më shumë sesa me Serbinë dhe Vuçiqin, ai ka bërë betejë me miqtë ndërkombëtar dhe veçanërisht amerikanët. Ai dhe vartësit e tij direkt nuk kanë treguar pjekuri politike në trajtimin e kërkesave të miqëve dhe aleatëve të Kosovës. Kjo mënyrë e të bërit politikë, po na largon nga bashkëpunimi me aleatët, me të cilët politikanët e mençur nuk konfrontoheshin asnjëherë në të kaluarën dhe aq më pak në publik, siç po bënë Kurti. Pra, Kryeministri Kurti, as nuk po e zbaton vendimin e Qeverisë dhe as nuk po i mirëmban raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Ai ka thënë se kryeministri po vepron në mënyrë të papjekur.

“Vendimi i orëve të fundit se fillimisht poseduesit e targave ilegale do të qortohen nuk është zbatim i vendimit/marrëveshjes, por më shumë po e shndërron Kosovën në një republikë komike, si brenda, por edhe jashtë në raport me aleatët. Edhe 21 nëntori 2022 edhe 21 prilli i vitit 2023 do të vije shpejt dhe do të jemi në situatën e njëjtë. Në këtë situatë kemi qenë edhe në fund të muajit korrik dhe kemi paralajmëruar se Kurti do të sillet njësoj edhe në fund të shtatorit e tetorit. Kështu ndodhë kur vendi drejtohet nga një kryeministër i papjekur që interesat e Republikës së Kosovës, në këtë kohë të përplasjeve të mëdha globale, i ka reduktuar në targa”, ka shkruar Gjoshi.

Të ngjashme