Në mes të tetorit, Ministri Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës i qeverisë së Albin Kurtit deklaroi se në Kosovë figurojnë rreth 382 mijë e 836 ndërtime ose mbi 75% e ndërtimeve janë ilegale. Po ashtu ai theksoi që vetëm Komuna e Prishtinës , e cila ka qenë dy mandate nën qeverisjen e Vetëvendosjes, i ka mbi 46 mijë ndërtime pa leje. Mirëpo ndërkohë që ka kaq shumë ndërtime pa leje në gjithë vendin, institucionet shtetërore vendosën që në mënyrë selektive të godisnin pikërisht ndërtimet në Brezovicë, me sa duket me shpresën për të goditur ndonjë figurë politike rivale në kuadër të strategjisë karakteristike të Vetëvendosjes për të përbaltur e damkosur këdo që është kundër.
Mirëpo operacioni I parë dhjetorit të vitit të kaluar i doli fiasko, sepse në vend që të kapte ndonjë “peshk” të madh rival, kapi një ‘peshk” të madh aleat, sepse zbuloi që “Stella Consulting”, ku është bashkëpronar Veton Surroi, ka dhënë 410 mijë euro ryshfet për të siguruar leje ndërtimi për një hotel dhe një kompleks vilash. Megjithatë kjo ngjarje nuk e pengoi Kurtin, që të propozojë dhe lobojë që Veton Surroi të ishte kandidat i Kosovës për Sekretar të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) për periudhën 2022-2024 . Sepse tipike për Kurtin, pavarësisht se ccfarë ka bërë në të kaluarën “kush është me mua është shenjtor, e kush me del kundër është djall”. Megjithatë kjo fiasko e parë nuk e pengoi Kurtin në “misionin” e tij heroik për të “ vrarë kuccedrën” e korrupsionit që po bllokon Kosovën prej Brezovicës, dhe u ndërmorr një tjetër operacion pompoz gjatë muajit të kaluar.
Prej gjenezës si organizatë politike, Vetëvendosja e Kurtit ka bërtitur se Kosova është demek “shtet i kapur” apo “me hajna nuk ka shtet” dhe e shiti veten si një profet që do të ndërrmerte një kryqëzatë për t’i futur hajdutët në burgun e Dubravës të cilën ai do ta bënte 12 kate. Qoftë gjatë 100 ditëve të mandatit të parë jetëshkurtër, dhe qoftë gjatë mbi 600 ditëve të mandatit aktual, Kurti ka bllokuar projektet ekzistuese dhe institucionet shtetërore që drejton nga përgjegjësitë e tyre të përditshme, dhe i ka angazhuar në një gjueti shtrigash, si të ishin prokurori, për të gjetur afera korruptive e ndërtuar dosje kundër rivalëve. Këtë gjë e bëri me 70 dosjet që dërgoi në prokurori Lëvizja Vetëvendosje sapo mori në dorë qeverisjen e Komunës së Prishtinës 8 vjet më parë. Pas gjithë këtyre muajve, Kurti e zbuloi kapjen e shteti, që sipas tij shkaktonte varfërinë, papunësinë dhe të gjitha të këqijat e Kosovës, mu në Brezovicë. Thënë ndryshe “U mbars mali dhe polli një mi”. Nga 12 katet e mbushura të Dubravës e gjithë retorika populiste e Kurtit dhe akuzat që ka vërshuar u katandis në 75 vikendica të sekuestruara në Brezovicë.
Nëpërmjet teksti nuk kam aspak ndër mend të justifikoj një ndërtim që bëhet në shkelje të ligjit. Pavarësisht dashurisë së madhe që kam për malet dhe zonën e Rugovës në veçanti, unë personalisht e kam frenuar veten nga tundimi i madh për të ndërtuar në një park kombëtar, pavarësisht se këtë gjë e kanë bërë me mijëra të tjerë pa iu hyrë gjemb në këmbë. Por dua të vë në dukje disa aspekte thelbësore të padrejta e të pandershme në “fushatën publicatare populiste” të Kurtit për të goditur “pasanikët e vilave” të Brezovicës. Përpos kësaj dua të demaskoj edhe dimensionin e marketingut politik të kësaj teme që po zgjatet pa nevojë si sagë e po rishfaqet çdo 3-4 muaj, për të krijuar iluzionin se kinse qeveria po bën luftë të madhe kundër shkeljes së ligjit.
Fakti që mes 380 mijë ndërtime pa leje qeveria përzgjodhi të merret me 75 ndërtimet e Brezovicës, përbën një shembull klasik të zbatimit selektiv të ligjit. Po ashtu është tërësisht selektive ku lufta kundër ndërtimeve pa leje nis me 75 ndërtime në komunën periferike të Shtërpcës e jo në kryeqytet ku thuhet se ka 46 mijë ndërtime pa leje. Për me tepër kur dihet që në Prishtinë përgjegjës drejtpërdrejtë kanë kanë qenë dy ministrat aktualë të Kurtit, Sveccla dhe Aliu të cilët respektivisht kanë qenë drejtorë komunalë të inspektoriatit dhe urbanizmit. Përse aksioni nis në Brezovicë në Parkun e Sharrit kur mjafton të futesh në google earth për të parë fotot satelitore që tregojnë se kullotat që janë pronë shtetërore në Parkun e Bjeshkëve të Namuna janë të mbushura me ndërtime në kundërshtim me ligjin. Fundja ai që ndërton pa leje në pronë shtetërore bën një akt më të rëndë se ai që ndërton në pronën private. Standard i dyfishtë i zbatimit të drejtësisë është edhe fakti që nga njëra anë qeveria therret qytetarët të përfshihen në procesin e legalizimit të ndërtesave të tyre pa leje gjë që përbën një akt amnestie dhe nga ana tjetër kemi shfaqje me polici e shirita krimi për disa dhjetëra ndërtime pa leje në Brezovicë. Po ashtu është selektive kur lufta kundër korrupsionit nuk bëhet kundër atyre që abuzojnë me fonde publike që shkakton dëmet maksimale për interesat e qytetarëve, por bëhet për ndërtimet pa leje ku janë shumica e qytetarëve të përfshirë, duke kujtuar ministrin e Kurtit që flet treçerekun e gjithë ndërtimeve të Kosovës.
Simboli i drejtësisë, që në antikitet me perëndeshën romake të drejtësisë të quajtur Justitia, është portretizuar si një grua që ka sy të lidhur dhe në një dorë peshoren dhe një shpatë në tjetrën. Jo më kot janë sytë të mbyllur, posaccërisht për të treguar që drejtësia është e verbër dhe se ligji i trajton të gjithë njësoj. Drejtësia selektive nuk i shërben drejtësisë, përkundrazi është një ndër format më të rënda të padrejtësisë, sepse pikërisht institucioni nga ku qytetarët presin paanshmëri, ndërshmëri dhe integritet përdoret si instrument politik për të goditur kundërshtarët. Drejtësia selektive bie ndesh me parimin e barazisë para ligjit dhe shkatërron shtetin e së drejtës sepse kur edhe drejtësia kapet e shfrytëzohet për qëllime politike, ne kemi të bëjnë me formën më të rëndë të kapjes së shtetit. Vështirë se ka gjë më të rëndë sesa kur drejtësia nga ku njerëzit presin zgjidhje, të shfrytëzohet si mjet represioni, shantazhi e kërcënimi. Thënë ndryshe nëpërmjet alegorisë së “Fermës së Kafshëve” Oruelliane, për këtë qeveri “të gjithë janë të barabartë, por disa janë më të barabartë se të tjerët”.
Konkretisht në rastin e Brezovicës, kemi drejtësi selektive në formën e një hakmarrje të ulët politike. Edhe pse presidenti Thaçi është duke bërë një betejë dinjitoze për të mbrojtur të vërtetën historike të luftës së drejtë e të pastërt që kanë bërë shqiptarët e Kosovës për liri e pavarësi qeveria Kurti nuk e lë rehat, prodhon ende video mashtruese dhe tashmë merret me familjarët e tij duke sekuestruar dy vikendica të vëllezerve të presidentit. Drejtësi selektive kemi të bëjmë edhe me sekuestrimin e vikendicës së ish-kryetarit dhe ish-ministrit të PDK-së. Enver Hoxhaj. Pra në rastin e Brezovicës “drejtësia” ka vetëm një sy të mbyllur, për të marrë më mirë shënjestër e për të targetuar persona specifik.
Një tjetër problem është trajtimi i atyre që kanë bërë ndërtime pa leje si kriminelë që kanë bërë krime të papërshkrueshme duke I mbajtur për ditë të tëra në qendër të vëmendjes në media. Shfaqja e shëmtuar butaforike e operacionit të Brezovicës të jepte përshtypjen sikur të bëhej fjalë për zbulimin e një skeme masive e vjedhjes së parave të taksapaguesve apo shkatërimi I ndonjë rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës apo armëve. Këtu duhet sqaruar se pronarët e këtyre 380 mijë ndërtesave pa leje, përfshi ato të Brezovicës, nuk mund të trajtohen si kriminelë që kanë bërë akte të rënda. Shpesh janë njerëz të thjeshtë, të cilët janë detyruar që t’i ndërtojnë këto shtëpi mbi tokën e tyre edhe pa marrë leje pasi komuna dhe institucionet e tjera shtetërore ka qenë joefikase në administrimin e kërkesave të shtuara dhe nevojave zhvillimore. Këtu fjala kycce është prona private që është e shenjtë për sistemin liberal-demokratik që ne kemi. Si pasojë e mungesës së vullnetit dhe aftësive të pushtetarëve të deritanishëm, por edhe i papërgjegjshmërisë e presioneve për korrupsion, kanë munguar planet urbanistike të detajuara që do mund ta zhvillonin në mënyrë të organizuar ndërtimtarinë në zonat turistike. Këtu del edhe në pah hipokrizia e shtetit dhe institucioneve të tij ku nga njëra anë përpiqet të tërheqë investitorë të huaj në fushën e turizmit, madje duke ofruar pothuaj falas tokë shtetërore për investitorët strategjikë e nga ana tjetër shkel me këmbë qytetarët e vet që duan të investojnë kursimet në pronën e tyre private.
Kjo do të thotë se në shumicën e rasteve barra morale dhe përgjegjësia duhet të vihet mbi institucionet shtetërore e jo mbi qytetarët që duan të investojnë mbi pronën e tyre prandaj organizimi i operacioneve publicitare për sekuestrimin apo shkatërrimin e ndërtimeve pa leje duhen konsideruar më së shumti si një dështim i rëndë i shtetit sesa si një mëkat kriminal qytetarëve.
Një tjetër problem është dominimi i mentalitetit të prapambetur komunist, për të sulmuar sa më shumë të pasurit që kanë vila pushimesh apo për të shkatërruar pronën private pa e vrarë mendjen për dëmet ekonomike. Një qeveri e përgjegjshme nuk do duhej të gëzohej me shkatërrime të pronës së qytetarëve të saj, por do duhej të fokusohej në legalizime për të zhvarrosur e futur në qarkullim miliardat që kosovarët kanë investuar në ndërtime, qofshin ato pa leje. Kosova s’ka nevojë për fushata sekuestrimesh apo shkatërrimesh të ndërtimeve pa leje por për një proces të përshpejtuar të legalizimit. Sapo një aset të njihet nga një regjistër ligjorstandard pronësie, ky aset, qoftë biznes apo shtëpi, mund të përdoret si kolateral i hipotekuar për të marrë kredi nga ndonjë bankë duke gjeneroj sasi të jashtëzakonshëm kapitali për investime. Po ashtu mund të përdoret si garanci për kontrata biznesi duke bërë të mundur që pasuria e pronës të mos jetë më e varrosur në tulla e ccimento por të hidhet në qarkullim. Përpos kësaj, nëse ajo pronë zotërohet ligjërisht atëherë ajo mund t’i shitet investitorëve kudo në tregun global duke u shndërruar në kapital likuid që qarkullohet në ekonomi.
Së fundmi, duhet vënë në dukje se legalizimi i objekteve të ndërtuara pa leje është në përputhje me Deklaratën e Vjenës për ndërtime pa leje dhe se Kosova është gjithashtu nënshkruese e këtij dokumenti të së drejtës ndërkombëtare që ka për qëllim legalizimin dhe regullimin e zonave të ndërtuara pa dokumentacione përkatëse. Kjo do të thotë që çështja e legalizimit nuk është vetëm një nevojë sociale dhe dobi ekonomike por tanimë është shndërruar edhe në një zotim e obligim ndërkombëtar për shtetin e Kosovës.