Kurtishaj: Aksionet e Prokurorisë në Brezovicë i dhanë imazh të keq turizmit në Kosovë, infrastruktura në gjendje të rëndë

Prishtinë | 26 Shk 2023 | 08:30 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Mungesa e infrastrukturës së duhur rrugore, aksionet e Prokurorisë për t’i mbyllur dhe rrënuar objekte hoteliere e pushimore në Brezovicë, por edhe mungesa e reshjeve të borës, ka bërë që ky vit të jetë ndër më të dobëtit sa i përket turizmit dimëror, raporton Ekonomia Online.

Pronari i kompanisë “Sharr Travel”, Ruzhdi Kurtishaj, thotë se aksionet për rrënimin e objekteve në Brezovicë, Kosovës i ka dhënë imazh të keq, duke zmbrapsur pushuesit potencialë të huaj, por edhe ata vendës.

Ai ka thënë se infrastruktura në Brezovicë është e keqe, ndërsa dëme ka pasur së fundi edhe nga rrëshqitjet e dheut. Gjendje e njëjtë, Kurtishaj tha se është edhe në Rugovë e Bogë, ku atje shkaku i ndërhyrjes për t’i instaluar kabllot e energjisë elektrike, rrugët janë dëmtuar.

Kurtishaj, i cili me kompaninë e tij bashkëpunon me shumë operatorë turistikë, thotë se bizneset hoteliere, por edhe bizneset e tjera që mbahen nga turizmi dimëror/ malor, janë në situatë të vështirë.

“Hotelet atje këtë vit kanë pasur rënie të madhe të kërkesave për pushues, për shkak të pasigurisë në udhëtim. Pra rrugët kanë qenë jashtëzakonisht të dëmtuara, ka pasur rrëshqitje të dheut, rrugëve dhe në shumë raste rrugët kanë qenë me mundësi të fatalitetit, për shkak se lumi ka kaluar një pjesë të madhe të rërës poshtë rrugës dhe rruga ka mbetur pa u riparuar dhe në pjesën tjetër për shkak të disa ndërhyrjeve që janë bërë atje, nga komuna apo nga Ministria, ato gropa nuk janë mbyllur fare. Pra për shkak të instalimeve të kabllove të energjisë elektrike”.

“Kemi pasur një dëmtim të jashtëzakonshëm të të gjitha bizneseve sa i përket Bogës dhe përgjithësi Rugovës këtë dimër. Duke pasur parasysh që këtë dimër ka pasur mungesë të reshjeve të borës, andaj sigurisht që bizneset janë në një situatë jashtëzakonisht të vështirë”, tha Kurtishaj, për Ekonomia Online.

“Sa i përket Brezovicës, tashmë qytetarët vazhdojnë kërkesat për pushime aty, por për shkak të këtyre ndryshimeve të themi që kanë ndodhur këtë vit, apo për shkak të aksioneve të shumta të policisë, ato pak hotele që kanë qenë janë mbyllur, ato pak apartamente që kanë qenë, janë rrënuar dhe është krijuar një imazh jashtëzakonisht i keq që në Brezovicë tash më nuk ka mundësi të akomodohen dhe ka mbetur vetëm një hotel (‘Brezovica’), i cili ka kapacitete të vogla karshi kërkesës për të akomoduar qytetarët e Kosovës atje”, tha tutje ai.

Kurtishaj ka thënë se institucionet vendëse kanë dështuar të krijojnë kushte për të bërë biznes për sezonin dimëror. Ai ka thënë se ato aksione, i kanë dhënë një imazh të keq për sezonin dimëror.

“Qeveria, ministritë, komunat kanë një rol aktiv sa i përket mundësisë së zhvillimit të turizmit, dhe ngritjes së dialogut apo bashkëpunimit publiko-privat. Dhe pa sektorin privat nuk mund të zhvillohen as institucionet dhe as turizmi. Në anën tjetër sektori publik është ai që duhet të krijojë kushte dhe mundësi që sektori privat të investojë dhe të merret me punët e veta që i takojnë. Në këtë aspekt unë them që Qeveria e Kosovës, ministritë përkatëse kanë dështuar në ofrimin e kushteve themelore për të bërë biznes sa i përket sezoneve dimërore. Qoftë më mirëmbajtje të rrugëve, qoftë për shkak të këtyre ndërhyrjeve… Kosovës i kanë dhënë një dëm jashtëzakonisht të keq, një imazh të keq, mu në fillimin e sezonit dimëror në Brezovicë”, u shpreh ai.

Kurtishaj thotë se në Kosovë ka shumë potencial për të zhvilluar turizmin dimëror. Andaj, ai ka kërkuar që bazuar në Ligjin për Turizmin, i cili ka hyrë së fundmi në fuqi, të ndahet buxhet me një program të qartë.

“Kosova ka potenciale të mjaftueshme natyrore. Por, Kosovës i mungon vullneti politik për t’i adresuar çështjet, për të krijuar një ambient të përshtatshëm, për të krijuar zona të caktuara për të zhvilluar turizmin dhe është shumë e lehtë kjo gjë. Kosovës i ka munguar edhe Ligji i Turizmit. Tashmë ligji është bërë Kosovës i duhet në mënyrë urgjente ta ndryshojë qasjen sa i përket turizmit, të ndahet buxheti i mjaftueshëm në Departamentin e Turizmit në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe të vazhdohet me një program të qartë për të zhvilluar turizmin në Kosovë”, u shpreh Kurtishaj.

Të ngjashme