Gjuetia ilegale në parkun kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”

Prishtinë | 29 Nën 2019 | 08:42 | Nga Ekonomia Online

Prejse ka filluar sezoni i gjuetisë, në mesin e muajit tetor, krismat e pushkëve të gjuetarëve dëgjohen edhe brenda territorit të parkut kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, ndonëse me ligj është e ndaluar gjuetia. Gjuetia gjatë sezonit lejohet vetëm në zonat jashtë parkut kombëtar, por jo edhe brenda brezit prej 500 metrave përreth parkut. Mirëpo, gjatë sezonit të gjuetisë në mënyrë ilegale janë duke gjuajtur edhe në bjeshkët brenda zonës së parkut, shkruan sot Koha Ditore.

“Ka ende zona për gjah në parkun kombëtar. Ligji i parkut kombëtar e përjashton 100 për qind mundësinë e çfarëdo lloj gjuetie. Është rreptësisht e ndaluar për t’u zhvilluar gjuetia në park. Unë i kuptoj grupet e interesit që quhen gjuetarë, që janë me mijëra dhe ata duhet me dalë diku me zhvillua atë lloj sporti që është për ta. Ka me qenë vështirë me i ndalë gjithë ata gjuetarë që me dalë në gjueti në bjeshkët e parkut kombëtar”, thotë Fatos Lajçi nga organizata mjedisore “ERA”.

Drejtori i parkut kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, Fatmir Morina, mohon që brenda territorit të parkut ka ndonjë zonë në të cilën legalisht po zhvillohen aktivitete të gjuetisë. “Në park është rreptësishtë e ndaluar gjuetia. Ka mundësi ndonjë rast që dalin në gjueti ilegale, por të organizuar, në park nuk ka. Jashtë parqeve të bëjnë çfarë të duan gjuetarët, por brenda zonës së parqeve nuk mund ta bëjnë asnjë aktivitet të gjuetisë. Ka pasur raste në Deçan dhe Junik të tentativave për gjueti brenda parkut, por punëtorët e drejtorisë së parkut i kanë përzënë ata jashtë zonës së parkut. Është edhe problemi në Rugovë me disa gjuetarë, të cilëve edhe ua kemi tërhequr vërejtjen për gjueti brenda zonës së parkut”, thotë Morina.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme