Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Mediave, Harlem Dezir e ka dënuar ashpër gjuhën e urrejtjes së shprehur nga gazetari i agjencisë shtetërore të lajmeve MIA në Maqedoni, Cverin Çilimanov, drejtuar korrespodentes së Financial Times, Valerie Hopkins, e cila ka mbuluar zhvillimet rreth referendumit në Maqedoni.
“Cicërimet kërcënuese të Cvetin Çilimanov ndaj Velery Hopkins janë të turpshme dhe të papranueshme. Të gjitha kërcënimet ndaj gazetarëve, posaçërisht thirrjeve për dhunë ndaj grave gazetare janë të papërgjegjshme. Çilimanov duhet menjëherë ta heqë postimin në Twitter”, ka thënë Dezir.
Ndërkohë, Agjencia Informative e Maqedonisë është distancuar nga postimi i gazetarit duke thënë se do të ndërmarrin të gjitha masat për ruajtjen e kredibilitetit të agjencisë në fjalë në përputhje me rregullativën ligjore.
Edhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik dhe Këshilli për Etikë në Media në Maqedoni, në një komunikatë të përbashkët i kanë dënuar ashpër siç theksohet “thirrjet për dhunë të personit Cvetin Çilimanov, i punësuar si gazetar në Agjencinë Informative të Maqedonisë (MIA), i cili dje në Twitter kërkoi nga taksistët maqedonas të përdhunojnë gazetaren Valeri Hopkins kur të hyjë në makinat e tyre, sepse nuk i pëlqejnë tekstet e saj për gjendjen në Maqedoni”.
“Vlerësojmë se kërcënimet primitive nuk janë të drejtuara vetëm kundër koleges Hopkins, por kundër të gjithë komunitetit të gazetarëve dhe kanë për qëllim t’i frikësojnë gazetarët të mos i observojnë proceset politike në mënyrë kritike”, theksohet në komunikatën e lëshuar.
Nga ana tjetër, Urania Pirovska, drejtuese e Komitetit të Helsinkit në Shkup në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë e ka dënuar ashpër gjuhën e urrejtjes së shprehur ndaj gazetares Hopkins nga gazetari Çilimanov i cili është njëherësh dhe nënkryetar i një shoqate që përfaqëson gazetarët, njofton rel.
“Gjuha e urrejtjes është e pranishme në Maqedoni sepse praktika ka dëshmuar se ajo kalon pa u dënuar”.
“Ne kemi ngritur disa padi që për bazë kanë gjuhën e urrejtjes, por akoma ska asnjë hap konkret, sepse nuk kanë epilog gjyqësor”, thekson Uranija Piroska.
Edhe ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, i kërkoi ndjesë gazetares Valerie Hopkins, ndaj së cilës u përdor gjuhë e urrejtjes.
Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov.
Nga ana tjetër, Sefer Tahiri, ligjërues i shkencave të komunikimit në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, për Radion Evropa e Lirë thotë se institucionet përkatëse duhet vepruar menjëherë sepse reagimi i ngathët bën që rastet e këtilla të marrin hov në Maqedoni duke pas si qëllim futjen e frikës.
Tahiri kujton se gazetari Çilimanov gjithmonë ka mbrojtur politikat e VMRO DPMNE-së dhe ka luajtur rolin e trampolinës.
“Mendimi apo apeli që bën gazetari Çilimanov është në vijën që të shkaktojë frikë tek qytetarët që është një politikë propaganduese të një partie politike se nëse kundërshtohet qëndrimi i VMRO DPMNE-së apo qëndrimi i cili po krijohet në përgjithësi kundër integrimit të Maqedonisë në strukturat euroatlantike, njerëzit mund të kenë pasoja, qofshin ata edhe kolegë gazetarë nga vendi apo nga jashtë dhe kjo nuk paraqet asgjë të re” thotë Tahiri.