Gjuha e urrejtëse e përdorur nga përfaqësues të subjekteve politike ka nxitur reagime nga persona të ndryshëm nga sfera publike.
Dren Gërguri, njohës i komunikimit thotë se personat publik duhet të kenë kujdes me gjuhën që përdorin në audiencat e tyre.
“Personat publik duhet që gjithmonë ta kenë parasysh peshën e fjalës që përcjellin në publik e sidomos kur ajo gjuhë është denigruese në diskursin publik. Prandaj secili prej nesh duhet të ketë kujdes me fjalën që e përdorë dhe afektin që ajo mund ta ketë në shoqëri. Gjuha e tillë nëse përdoret në komunikim politik, mund të polarizojë edhe më tej shoqërinë”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Dren Gërguri.
Leonida Molliqaj nga Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion tha se kjo gjuhë po i përjashton gratë nga sfera publike.
“Ne si organizatë sigurisht se e dënojmë ashpër gjuhën e përdorur. Ne konsiderojmë se gjuha e tillë prodhon dhunë ndaj grave. Gjuha e tillë prodhon një mendësi e cila tenton të sheh gruan më të dobët se burrin, një gjuhë e cila është duke i përjashtuar gratë nga sfera publike”, deklaroi Leonida Molliqaj, përcjell Telegrafi.
Kohët e fundit ka pasur disa raste që janë konsideruar si ofendime në baza gjinore.
Deputetja Mimoza Kusari i ishte referuar një fjalimi të kryeministrit Hoti si fjalim i “grave të këqija”, apo edhe kur ministri Agim Veliu kishte përshkruar Vjosa Osmanin me disa terma që janë interpretuar si bulizëm.