Për dallim nga vitet tjera, këtë vit deputetët e Parlamentit të Maqedonisë nuk pritet të shkojë në pushim vjetor, edhe pse një gjë e tillë ishte paralajmëruar. Kjo për shkak të agjendës së ngjeshur politike të ligjvënësit, debatet për shkarkimin e prokurorit publik Marko Zvrlevski, më pas miratimi i ligjeve që dalin nga plani qeveritarë 3-6-9, mes të cilëve është dhe ligji për gjuhën shqipe si dhe ligji për nëpunës administrativ.
Siç merr vesh gazeta Koha nga burime parlamentare, partitë e shumicës parlamentare LSDM, BDI dhe ASH, pritet që më 15 shtator ta miratojnë Ligjin për përdorimin e gjuhëve, me çka do të bëhet një avancim i ndjeshëm i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e pushtetit qendror dhe atij lokal në Maqedoni.
“Më 25 shtator vetëm se fillon fushata parazgjedhore dhe Parlamenti nuk do të punojë efektivisht, ndërsa ligji për shqipen është rënë dakord mes partive që më 15 shtator të miratohet nga ana e deputetëve, ndërsa paraprakisht do të jetë në seancë plenare dhe debati nuk prite të zgjasë shumë”, njoftojnë për gazetën Koha burime nga grupet parlamentare të partive në pushtet.
Siç shtojnë këto burime, “duhet pritur të shteret debati për prokurorin e përgjithshëm Marko Zvërlevski dhe të shkarkohet ai dhe më pas mund të fillojnë lirshëm punët në Parlament, jo vetëm për miratimin e Ligjit për gjuhët, por edhe për një sërë ligjesh tjera që janë në agjendë të panit 3-6-9”.
Ndryshe, partitë në pushtet, por edhe ato opozitare, e pranojnë se ende nuk kemi zyrtarizim të plotë të gjuhës shqipe, por se propozim ligji që pritet të miratohet, sipas vlerësimit të shumë ekspertëve, krijon konturat kryesore drejt barazisë së gjuhës shqipe me gjuhën maqedonase në një të ardhme shumë të afërt. Që të ndodhë kjo, duhet të ketë zbatim adekuat, ku barrën kryesore për këtë e ka vetë Qeveria e Republikë së Maqedonisë.
“Me propozimin që janë marrë vesh BDI bashkë me ASH-në dhe me LSDM-në, gjuha shqipe sa i përket përdorimit të brendshëm të qytetarëve shqiptarë në raport me ata maqedonas, lirisht mund të thuhet se është e barabartë me gjuhën maqedonase. Kjo ka të bëjë edhe me mbylljen e njërës ndër pikat kyçe të Marrëveshjes së Ohrit për dygjuhësisë në Maqedoni, por edhe zbatimin e plotë të nenit 7 të kushtetutë së Maqedonisë”, thonë nga grupi parlamentar i BDI-së.
Ndërkaq, deputeti nga Lëvizja Besa Fadil Zendeli, thotë se propozim-ligji që ata e kanë në duar tani e rrit ndjeshëm përdorimin e gjuhës shqipe, por sipas tij gjuha shqipe nuk e fiton statusit e gjuhës së dytë zyrtare, ashtu siç e jep Kushtetuta.
“Edhe më herët e kam thënë dhe po e përsëris se, ky propozim-ligj e avancon në një masë të ndjeshme përdorimin e gjuhës shqipe, që është e obligueshme për institucionet shtetërore, por fatkeqësisht jo në të gjitha, për shembull gjyqësori, ushtria, policia. Nga ana tjetër, nuk është e obligueshme edhe për qytetarët maqedonas as në ato komuna të përziera që dokumentacionet e tyre të jenë edhe në gjuhën shqipe. Prandaj, nuk na lejohet të themi se gjuha shqipe është gjuhë e dytë zyrtare ashtu siç e parasheh edhe Kushtetuta në dispozitat e saj”, thotë për gazetën Koha Fadil Zendeli, deputet nga Lëvizja Besa.
Ndryshe, përveç ligjit për gjuhën shqipe, para fillimi të fushatës parazgjedhore është paraparë të miratohen edhe ndryshime të ligjit për nëpunës administrativ, përmes të cilit do të hiqet testi për gjuhën angleze, testi psikologjik dhe testi për integritet.