Policia greke është përplasur me armë zjarri me 3 hajdutë shqiptarë të armatosur, ku si pasojë dy prej tyre kanë mbetur të plagosur.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Korinth, mesditën e së shtunës (8 shkurt), ndërsa raportohet se Policia greke kishte prej kohësh në vëzhgim një automjet të dyshimtë që mendohej se kishte lidhje me disa vjedhje në zonë.
Sipas mediave, dy shqiptarët u plagosën në këmbë. Njëri prej tyre u dërgua në Spitalin e Korinthit dhe tjetri në Thriassio, ndërsa i treti u arrestua.
Një operacion i madh policor ishte duke u zhvilluar gjithë pasditen e së Shtunës në Korinth për të arrestuar tre hajdutë të armatosur shqiptarë. Për kapjen e shqiptarëve u angazhuan edhe forcat ajrore dhe ato të policisë. Kur shqiptarët e kuptuan se ishin rrethuar, nxorën armët dhe filluan të qëllojnë drejt policisë, e cila iu kundërpërgjigj po me plumba.
Sipas mediave greke, tre shqiptarët mendohet se i përkasin një bande që ka kryer grabitjen e banke në Kalamata gushtin e vitit të kaluar. Brenda makinës së autorëve, policia gjeti një kallashnikov dhe aktualisht po kryhet një operacion i gjerë për gjetjen e një tjetër personi. /Gazeta Sinjali/