Drejtori i Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq ka deklaruar se marrëveshja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është e mundshme në qoftë se të dyja palët janë njëlloj të kënaqur ose të pakënaqur.
Për TV Pink, Gjuriq ka thënë se Beogradi dëshiron një marrëveshje me Prishtinën, por jo aq sa për të përmbushur në këtë mënyrë vetëm interesat kombëtare të shqiptarëve të Kosovës –‘Ëndrrat e tyre për pavarësi’.
“Çdo marrëveshje duhet të marrë në konsideratë të dy interesat ato serbe dhe shqiptare. Ne mund të bëjmë një marrëveshje nëse të dyja palët janë njëlloj të kënaqur ose të pakënaqur”, ka thënë ai, transmeton lajmi.net.
Sa i takon propozimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në lidhje me fillimin e dialogut social për Kosovën, Gjuriq ka thënë se kjo çështje mund të jetë ‘shëruese’, të sjell ide dhe të ketë tubim të madh rreth qëllimeve të shtetit.
“Rreth 1.2 milion shqiptarë në Kosovë janë duke luftuar për pavarësi, ata e dinë se çfarë duan. Ndërsa atë që ne duam të arrijmë duhet bërë përmes një konsensusi sa më të gjerë shoqëror”.
Duke folur për negociatat për formimin e një qeverie të re në Prishtinë, Gjuriq ka thënë se Beogradi këshilloi përfaqësuesit e Listës Serbe të jenë të durueshëm dhe t’i lënë partitë shqiptare të diskutojnë.