Shtatëmbëdhjetë muaj janë bërë qëkur Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim procesin ndaj aktivistëve dhe ish-aktivistëve të Vetëvendosjes, të akuzuar për terrorizëm. Mirëpo, deri më tani Gjykata Themelore e Prishtinës nuk ka caktuar asnjë seancë rreth këtij rasti.
Rigjykimi nuk ka filluar, pavarësisht që me Kodin e Procedurës Penale këto raste duhet të trajtohen me prioritet, shkruan sot “Koha Ditore”.
Gjykata nuk ka dhënë arsye për mosprocedimin e lëndës. Zyrtarë të saj kanë thënë se gjyqtari i rastit, Beqir Kalludra është në pushim vjetor.
Por njohës të çështjeve juridike thonë se gjykatat po i shkelin parimet e drejtësisë për gjykim të drejtë dhe brenda kohës së arsyeshme.
Katër të akuzuarit, deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi, aktivistja e këtij subjekti politik, Adea Batusha dhe dy aktivistët e LVV-së, Atdhe Arifi e Egzon Latifi, në nëntor të vitit 2017 janë shpallur fajtorë për sulmin me raketahedhës në Kuvendin e Kosovës, tre vjet më parë.