Gjykata dënon KESCO-n për mos-zarfim të faturave

Prishtinë | 14 Mar 2018 | 14:07 | Nga

Gjykata Themelore në Prishtinë, sipas gjetjeve nga inspektimi i zhvilluar nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (AShMDhP), dënoi Kompaninë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) me 9 mijë euro për mosmarrjen e masave për parandalimin e qasjes së paautorizuar në të dhënat personale të konsumatorëve.

“Me kërkesë të AShMDhP-së, të iniciuar më 22 qershor 2016, për fillimin e procedurës kundërvajtëse ndaj KESCO, më 9 mars 2018, Divizioni për Kundërvajtje i Gjykatës Themelore në Prishtinë, shqiptoi gjobën prej €9.000 meqë kjo kompani, me rastin e shpërndarjes së faturave të energjisë elektrike, nuk kishte bërë zarfimin e tyre, përkatësisht nuk kishte marrë masa të sigurisë për të parandaluar çfarëdo qasje të paautorizuar në të dhënat personale të konsumatorëve të saj”, thotë kjo agjenci në njoftimin për media.

Kjo mënyrë e përpunimit të të dhënave personale, duke mosparandaluar qasjen e paautorizuar në leximin e të dhënave personale gjatë transmetimit të tyre, përfshirë transmetimin nëpërmjet mjeteve të telekomunikimit dhe rrjeteve, sipas AShMDhP, bie ndesh me dispozitën14 të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe si e tillë përbën shkelje të privatësisë së individit.

“Vlen të theksohet se zyrtarët, të punësuarit dhe personat tjerë që kryejnë punë lidhur me përpunimin e të dhënave, përfshirë kontrolluesin e të dhënave, janë të obliguar që gjatë dhe pas kryerjes së punëve të kontraktuara, të mbrojnë fshehtësinë e të dhënave personale me të cilat ata njihen”, ka potencuar kjo Agjenci.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme