Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që organizata joqeveritare “Admovere” ta heqë nga qarkullimi raportin në të cilin profesorin e Juridikut, Mejdi Bektashi, e quan plagjiator, shkruan sot Koha Ditore.
Gjykata e ka aprovuar masën e sigurisë, të cilën me padi e kishte kërkuar Bektashi. Sipas vendimit që është nxjerrë të enjten, e të cilin e ka parë Koha.net, “Admovere”, me seli në Prishtinë e me themelues Shkëlzen Gashin, “detyrohet ta tërheqë nga publikimi – qarkullimi i mëtejmë, studimin me emërtim ‘Stafi akademik i UP-së, studimet, angazhimet e tjera, plagjiaturat, vlerësimet dhe përpjesa staf-student’, nga mediat e shkruara e elektronike, uebfaqe të internetit dhe rrjete sociale, vetëm pjesën e studimit që ndërlidhet me personalitetin e paditësit, deri në përfundim të këtij kontesti me vendim të formës së prerë, apo deri në një vendim tjetër të kësaj gjykate, nën kërcënim të pasojave ligjore”.
Gjykata në këtë aktvendim ka treguar se i njëjti do t’u dërgohet palëve ndërgjyqësore, si dhe Komisionit të Pavarur të Mediave.
I kontaktuar për të mësuar se a do të heqë nga qarkullimi i mëtejmë publikimin në fjalë, Shkëlzen Gashi i “Admoveres” ka thënë se për këtë do të vendosë Bordi i organizatës. Por vendimin e Gjykatës e ka cilësuar absurd.