Këmbëngulja e Britanisë së Madhe për t’i kontrolluar ishujt e largët Chagos në Oqeanin Indian është shpallur ilegale nga gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara.
Ndonëse vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ka më tepër karakter këshillues, njoftimi nga gjykatësit është një goditje tjetër për prestigjin e Britanisë së Madhe në skenën botërore.
Rasti ishte dërguar në gjykatë pasi pala kundërshtare, Ishujt Mauritius, përmes rezolutës kishin kërkuar që çështja të dërgohet në Gjykatën e Hagës. Kjo rezolutë kishte marrë vota të mjaftueshme në Kombet e Bashkuara gjatë votimit të saj në qershor të vitit 2017.
Kryetari i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Abdulqaëi Ahmed Yusuf, tha se shkëputja e Ishujve Chagos në vitin 1965 nga Ishujt Mauritius nuk ishte bërë duke u mbështetur në vullnetin e lirë të banorëve. “Britania e Madhe është e detyruar që t’i japë fund administrimit të Ishujve Chagos sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë ai.
Mbretëria e Bashkuar e kishte ruajtur pronësinë e Ishujve Chagos pasi Ishujt Mauritius e shpallën pavarësinë në vitin 1968. Në këta ishuj ndodhet një bazë ajrore e Shteteve të Bashkuara, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.