Gjykata e kthen Nazim Sahitin në Krime Ekonomike, Policia ankohet në Apel

Prishtinë | 12 Pri 2019 | 08:07 | Nga Ekonomia Online

Ish-drejtori i Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Nazim Sahiti, e ka fituar betejën e parë për t’u kthyer në postin që e ka mbajtur deri në tetorin e vitit të kaluar.

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konsideruar të bazuar padinë e tij kundër Policisë se Kosovës, pas degradimit që i është bërë kur e kanë transferuar atë nga pozita e drejtorit të Krimeve Ekonomike në zyrtar të Departamentit për Kufij.

Mbrojtja e Sahitit e ka konsideruar si veprim të drejtë, ndërsa në Policinë e Kosovës kanë thënë se vendimin do ta apelojnë në Gjykatën e Apelit.

Drejtori Rashit Qalaj ka thënë se Policia e Kosovës nuk do ta kthejë Sahitin në pozitën që ka qenë, deri sa Gjykata e Apelit të marrë vendim. Në një prononcim për gazetën, drejtori Rashit Qalaj ka thënë se e kanë pranuar vendimin për këtë çështje para një jave.

“Mund ta konfirmoj që e kemi pranuar vendimin e shkallës së parë, por i cili vendim nuk është i plotfuqishëm”, ka thënë Qalaj për Kohën Ditore.

Sipas tij, personat përgjegjës që merren me përfaqësim ligjor të Policisë së Kosovës do të bëjnë ankesë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme