Gjykata Themelore e Pejës e ka liruar nga akuza dhe e ka shpallur të pafajshëm Sokol Morinën, i cili akuzohej nga Prokuroria Speciale e Kosovës për bashkim në organizatën terroriste “Al-Nusra”.
Kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj, gjatë shpalljes se aktgjykimit tha se nuk është provuar se Sokol Morina ka kryer veprën penale për çfarë akuzohet.
Vitin e kaluar, Sokol Morina u dënua nga Gjykata Themelore e Pejës me tre vjet burgim me kusht, mirëpo pas ankesave rasti ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.
Prokuroria pretendonte se Sokol Morina e Alban Shala në mesin e vitit 2013 udhëtuan nga Aeroporti i Prishtinës për në Stamboll, prej ku më pas vazhduan rrugën për në qytetin Hataj, ku edhe kishin kaluar kufirin turko-sirian ilegalisht dhe kishin shkuar në kampin stërvitor të “Al Nusra”-s në qytetin e Alepos, ku edhe ishin rekrutuar.
Sipas aktakuzës, pas disa luftimesh në qytetin sirian Alepo, Morina ishte plagosur në gju dhe për këtë arsye ishte kthyer përkohësisht në Kosovë, për t’u shëruar. Është kjo kohë kur kishin lindur dyshimet e para të Prokurorisë për aktivitetin e tij.