Një delegacion nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, i kryesuar nga Onera Naqellari kryetare Gjykate, Artan Hajredinaj gjyqtar, Ilir Perdeta gjyqtar, Elis Kuçi zëdhënës pranë KLD-së, si dhe pjesëtarë nga stafi administrativ i Gjykatës u priten nga kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës KGjK-së, Nehat Idrizi, i cili shoqërohej nga anëtarët e KGjK-së, Makifete Saliuka dhe Xhimshit Galushi, drejtori i Sekretariatit të KGjK-së, Shkëlzen Maliqi e bashkëpunëtorë të tjerë.
Delegacioni nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë po zhvillon një vizitë zyrtare dy ditore, me ftesë të Gjykatës Themelore Gjilan me qëllim të shkëmbimit të eksperiencës ndërmjet institucioneve, si dhe mundësinë e binjakëzimit të këtyre gjykatave.
Në këtë takim, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi e informoi delegacionin e nga Shqipëria, mbi përbërjen aktuale, funksionin dhe kompetencat e KGjK-së, si dhe organizimin e sistemit gjyqësor të Kosovës në përgjithësi.
Duke u ndalur në mënyrë specifike në vështirësitë dhe problematikat që ka sot sistemi gjyqësor, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim që kushte esenciale për mirëfunksionimin e këtij sistemi janë rritja e mëtejshme e përgjegjshmërisë dhe forcimi i sistemit të karrierës së gjyqtarëve.
Në këtë linjë palët e konsideruan pavarësinë e sistemit gjyqësor ndaj çdo lloj ndërhyrje, si një ndër parimet bazë të funksionimit të shtetit të së drejtës.
Në takim pati shkëmbim idesh lidhur me rëndësinë që paraqesin sistemet reciproke të përdorura në vlerësimin mbi kritere objektive të karrierës së gjyqtarëve si edhe në procedurat që ndiqen në procedimet disiplinore të tyre. Gjatë bashkëbisedimit, u evidentuan gjithashtu, sfidat e përbashkëta në kuadër të përmbushjes së objektivave që secili shtet mbart në vetvete në fushën e drejtësisë.
Delegacionit shqiptar, iu bënë të njohura edhe disa prej prioriteteve dhe arritjeve kryesore në kuadër të reformimit të sistemit gjyqësor, duke u ndalur në mënyrë specifike në decentralizimin e gjykatave në vend.
Gjatë ditës delegacioni nga Shqipëria do të vizitoi edhe Gjykatën Supreme, Gjykatën e Apelit, Gjykatën Themelore në Prishtinë si dhe Gjykatën Themelore në Gjilan.