Një gjykatë gjermane i ka dhënë fund karantinës së vendosur në Gütersloh, e cila ishte vendosur për ta parandaluar përhapjen e Coronavirusit që kishte shpërthyer në një thertore.
Zyrtarët e rajonit Nordrhein-Westfalen i kishin kthyer masat kufizuese në këtë qytet muajin e kaluar pasi mbi 1,500 punëtorë të një thertoreje kishin dalë pozitivë në testin për Coronavirus.
Karantina ishte planifikuar të përfundonte të mërkurën, ndonëse ekzistonte mundësia që ajo të zgjatej, shkruan “BBC”.
Megjithatë, Gjykata e Lartë Administrative i hodhi poshtë këto masa, duke i cilësuar ato si joproporcionale.
Në deklaratën e gjykatës thuhet se ndonëse vendosja e masave kufizuese në fillim të përhapjes ishte jo e paarsyeshme, do të duhej që autoritetet të kishin më shumë kohë për të vendosur një karantinë më të fokusuar.
Pas vendimit të gjykatës, baret dhe qendrat e fitnesit mund ta rifillojnë punën dhe mund të ketë tubime me më së shumti dhjetë persona në një vend. Për më tepër, çerdhet e fëmijëve do të rihapen të mërkurën.
Prej fundjavës, në këtë qytet janë regjistruar 44 raste të Coronavirusit dhe vetëm dy prej tyre nuk janë të lidhura me thertoren.