Gjykata Themelore e Pejës ia ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ish-Ministrit të Shëndetësisë Numan Baliq.
Sipas aktakuzës së ngritur, më 29 shtator 2020, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Numan Baliq duke qenë në cilësi të profesionistit shëndetësor e ka ngacmuar seksualisht viktimën – nënë dhe shoqëruese e fëmijës gjashtëmuajsh – e cila ishte e hospitalizuar në Repartin e Ortopedisë në Spitalin e Pejës.
Baliq nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë, njofton Klan Kosova.
Avokatja e të akuzuarit, Aurora Mulhaxha, ka propozuar që klientit të saj t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe t’i zëvendësohet me njërën nga masat e tjera që janë në vlerësim të gjykatës.
Ish-Ministri i Shëndetësisë ka kërkuar që të mbrohet në liri apo t’i caktohet edhe ndonjë masë tjetër.
Numan Baliq akuzohet për veprën penale “sulmi seksual” dhe është në paraburgim tash e 55 ditë.