Ish-kryetari i Kamenicës përmes një statusi në facebook ka thënë se sot Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën për pezullim të ekzekutimit të vendimit të Komunës së Kamenicës për shpërndarje të nxënësve nëpër klasë me nga 4-5 nxënës.
Kastrari thotë se ky është vendimi më i drejtë dhe i duhur, e se ky vendim e kthen shpresën për vazhdimin e një procesi që synon përmisimin e kushteve të edukimit për fëmijët e Kamencisë.
Gjithashtu, ai i ka bërë thirrje kryetarit të Kamenicës që të reflektojë dhe të mos vazhdojë me qasjen populliste, por të marrë vendime të duhura transformuese dhe zhvillimore për Kamenicën.
“Një procesi i cili e mundëson përmirësimin e kualitetit të arsimit në Kamenicë. Vazhdimi i reformës në arsim në Kamenicë është i domosdoshëm për zhvillimin e mirëfilltë të gjeneratave të reja, për barazinë ndërmjet fëmijëve e modernizim të kushteve të mësimnxënies”.
“Është i pakuptueshëm angazhimi destruktiv i Vetëvendosjes ndaj reformës në arsim edhe pas përfundimit të zgjedhjeve. Në fazën e fushatës elektorale i kam kuptuar edhe deklaratat shqetësuese të Glauk Konjufcës në Kamenicë. Vetëvendosje me dëshpërim synonte të fitonte ndonjë komunë. Por kjo që po vazhdon të ndodhë edhe sot është e papranueshme. Është edhe mosdije edhe mashtrim edhe dëm i madh. Kjo që po ndodhë është tregues për mungesën e vlerave minimale progresive e demokratike të një subjekti politik. Një subjekt politik që pretendon se me numra e pushtet mund të anulojë proceset e drejta për të mirën publike”
“I bëj thirrje Kryetarit të Kamenicës që të reflektojë dhe të mos vazhdojë me qasjen populliste, por të marrë vendime të duhura transformuese dhe zhvillimore për Kamenicën. Komuna e Kamenicës tashmë është duke kaluar nëpër një fazë të vështirë të migrimit e cila do ta afektojë jashtëzakonisht shumë zhvillimin dhe prosperitetin lokal. Një sistem arsimor me organizim të stërvjetëruar dhe në shpërputhje me nevojat e kohës dhe vendit veç sa do ta vështirësojë edhe më shumë mirëqenien lokale”.
Linku i vendimit: https://bit.ly/3wtFf6O