Gjykata Themelore ne Prizren i ka ndërprerë masën e paraburgimit Anton Jupes i cili ishte arrestuar në lidhje aferën e mishit të importuar nga Belgjika, muajin e kaluar.
Lajmin për Kallxo.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prizren, Afërdita Kicaj.
Ndaj Jupës është caktuar masa e arrestit shtëpiak.
Në kërkesën për paraburgim, Prokuroria në Prizren tha se ekziston dyshimi i bazuar që Jupa ka importuar nga Belgjika mish gjedhi me afat të skaduar në sasinë 19,657 kilogramë të cilin, sipas prokurorisë ka tentuar ta shesë në terminalin doganor në Prizren më 12 shtator 2017, edhe pse e ka ditur se është i dëmshëm për njerëzit.
Në kërkesën e prokurorisë për paraburgim, prokuroria konstaton se edhe në depon e “Euro Idës”, kompanisë së Anton Jupës më 20 mars 2018 janë gjetur 1800 kilogramë mish pule me afat të skaduar për të cilat gjithashtu thuhet se Jupa e ka ditur se janë të dëmshme, ndërsa ka tentuar t’i shesë.
Sipas prokurorisë, Jupa po të hidhte në treg këto produkte do të kishte për të kryer veprën penale prodhim dhe vënie në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë.
Prokuroria më tutje në kërkesën për paraburgim pretendon se po të ndodhet Jupa në liri do të asgjësojë, fshehë, ndryshojë, ose falsifikojë provat e veprës penale dhe do të pengojë procedurën duke ndikuar në dëshmitarë, në të dëmtuar, ose bashkëpjesëmarrës.
Gjithashtu organi i ndjekjes thotë se Jupa mund të arratiset po të ndodhet në liri, duke pamundësuar zhvillimin e rregullt të procedurës.