Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka thënë se pasi ka marrë detyrën e ministrit është zotuar për pavarësi të sistemit të drejtësisë për ta siguruar në mënyrë të plotë ndarjen e pushtetit, duke mos lejuar interferime politike.
Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Selimi ka folur edhe për themelimin e Gjykatës Komerciale, e cila, sipas tij, do të ngrehë sigurinë juridike të të bërit biznes, duke kontribuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në mënyrë të besueshme, efektive dhe të qëndrueshme.
Ministri i Drejtësisë ka thënë se është duke u punuar shumë edhe në procesin e vettingut.
Selimi ka folur edhe për hartimin e Projektligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, duke theksuar se ky projektligj, pasi të procedohet për konsultime paraprake dhe me publikun, do të procedohet për aprovim në qeveri, pastaj në Kuvend. “Besoj se gjatë këtij viti do të përfundojë ky proces”, ka thënë Selimi
“Epoka e re”: Z. Selimi, cilat janë objektivat në mandatin që keni dhe, sa i përket procesit të Vettingut, kur pritet të kemi rezultate konkrete?
Selimi: Pasi kam marrë postin e ministrit të Drejtësisë jam zotuar për pavarësi të sistemit të drejtësisë, për ta siguruar në mënyrë të plotë ndarjen e pushtetit duke mos lejuar interferime politike. Në lidhje me procesin e vettingut ju njoftoj se është formuar grupi punues për hartimin e modaliteteve dhe skenarëve për çështje të reformës në sistemin e drejtësisë me qëllim të adresimit të llogaridhënies duke përfshirë edhe vettingun, me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr. 07/15 të datës 22.07.2020. Grupi punues ka nisur takimet menjëherë pas marrjes së vendimit të qeverisë dhe deri më tani ka mbajtur më shumë se dhjetë takime të përbashkëta të grupeve dhe nën-grupeve, të cilët po punojnë intensivisht nëpër kapituj të veçantë.
“Epoka e re”: E keni potencuar si prioritet themelimin e Gjykatës Komerciale. Sa lëndë apo konteste mund ta presin verdiktin e kësaj gjykate?
Selimi: Gjykata Komerciale do të shërbejë si adresë e vetme dhe e konsoliduar për zgjidhjen e të gjitha kontesteve mes bizneseve në kohë të shpejtë dhe duke ndarë drejtësi të kualitetit të lartë. Gjykata Komerciale do ta ngrehë sigurinë juridike të të bërit biznes, duke kontribuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në mënyrë të besueshme, efektive dhe të qëndrueshme. Duke e marrë parasysh që ekonomitë e tregut janë dinamike, resurset e Gjykatës Komerciale do të alokohen në kohë reale varësisht numrit dhe llojit të kontesteve të pranuara. Gjykata Komerciale do të funksionojë me një mendësi të shekullit XXI, duke iu përgjigjur kërkesave të bizneseve dhe duke u përqendruar në cilësi dhe efikasitet të shërbimeve.
“Epoka e re”: Po ashtu, sa iu përket investimeve të huaja, sa raste potencialisht do të trajtohen me fillimin e punës të kësaj gjykate?
Selimi: Projektligji për Gjykatën Komerciale parasheh themelimin e Divizionit për shqyrtimin e kontesteve të investimeve të huaja në kuadër të shkallës së parë. Resurset e Gjykatës Komerciale do të alokohen për mbështetje të këtij divizioni po aq sa raste do të pranojë nga investitorët e huaj.
“Epoka e re”: Është paraparë që në kuadër të kësaj gjykate të jetë dhe divizioni për trajtimin e kontesteve të investimeve të huaja. Çfarë trupe do ta përbëjë këtë gjykatë dhe si është pritur kjo nga përfaqësues të afarizmit?
Selimi: Përfaqësues të afarizmit e kanë mirëpritur këtë risi si një garanci e sigurisë ligjore për të investuar në Kosovë. Sipas Programit për Reforma në Ekonomi (2020-2022), e në mbështetje nga Bashkimi Evropian, themelimi dhe funksionalizimi i Gjykatës Komerciale do të kontribuojë në rritje reale dhe të konsiderueshme të Bruto Produktit Vendor (BPV). Përmes rritjes së investimeve të huaja mbi 10 për qind në një periudhe dyvjeçare për shkak të ngritjes së sigurisë ligjore, efektet kumulative afatmesme në rritjen e BPV-së pritet të jenë 2,1 për qind deri më 2022.
“Epoka e re”: Sa iu përket arbitrazheve karshi Kosovës, a ka Kosova kuadro të mjaftueshme, dhe sa raste janë në arbitrazh?
Selimi: Sa i përket procedurës së Arbitrazhit, ju njoftoj se duke pasur parasysh procedurat e përcaktuara me Ligjin e prokurimit për përzgjedhjen e kompanive për përfaqësim dhe mbrojtje të interesit të Republikës së Kosovës në procedurë të Arbitrazhit, të gjitha përgatitjet fillestare, duke përfshirë këtu përgjigjen në padi dhe caktimin e çështjeve procedurale, kompletimi i dosjes me prova bëhet në mënyrë profesionale nga Avokatura Shtetërore. Ndërsa sa i përket përfaqësimit në arbitrazhin ndërkombëtar, AVSH nuk ka kapacitete të mjaftueshme për ta kryer këtë detyrë edhe pse në mënyrë të qartë Ligji për AVSh-në dhe Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë i përcakton kompetencat dhe përgjegjësitë e AVSh-së për përfaqësim në Arbitrazh Ndërkombëtar. Dhe në mungesë të kuadrit, AVSh është e detyruar t’i iniciojë procedurat për përzgjedhjen e kompanisë e cila do të na përfaqësojë në Tribunalin e Arbitrazhit, ashtu siç ka ndodhur deri më tani. Sa i përket shumës në dispozicion, ajo do të ndryshojë varësisht nga rastet dhe kërkesat e arbitrazhit.
“Epoka e re”: Sa i përket projektligjit për kompensimin e viktimave të krimit që është hartuar nga Ministria e Drejtësisë, kur prisni që do të marrë epilog ky projektligj?
Selimi: Tashmë kemi themeluar grupin punues për hartimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-036 për Kompensimin e Viktimave të Krimit, i cili është gjithëpërfshirës nga të gjitha institucionet relevante që i referohen mbrojtjes dhe kompensimit të viktimave të krimit. Po ashtu, është hartuar versioni fillestar i projektligjit i cili në takimin e parë të grupit punues është trajtuar në parim. Projektligji pasi të procedohet për konsultime paraprake dhe me publikun dhe trajtimin e komenteve eventuale, do të procedohet për aprovim në qeveri pastaj në Kuvend, besoj se gjatë këtij viti do të përfundojë ky proces.
“Epoka e re”: Parashihet edhe mundësia e rritjes së shumës së kompensimit për disa kategori të caktuara të dëmeve të pësuara, për çfarë shume të kompensimit bëhet fjalë?
Selimi: Një ndër qëllimet kryesore të projektligjit është edhe ndryshimi, përkatësisht rritja e shumave të kompensimit për: kompensimin e dëmeve materiale; shpenzimet mjekësore dhe hospitalizimi; shpenzimet e varrimit; shpenzimet e humbjes së aftësisë për punë dhe mbajtjes; shpenzimet për shkatërrimin e pajisjeve mjekësore; shpenzimet lidhur me parashtrimin e kërkesës për kompensim, po ashtu edhe kompensimin e dëmeve jomateriale, siç janë dhimbja fizike dhe vuajtja psikike; kompensimi për dhimbjen fizike si pasojë e lëndimit fizik apo dëmtimit të shëndetit; kompensimi për dëmtim të shëndetit mendor; kompensimi për vuajtje psikike; kompensimi për vuajtje psikike për humbjen e anëtarit të familjes.