Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë ende vendim lidhur me ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë kundër plotësim-ndryshimit të Ligjit për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Koalicioni qeveritar mezi kishte arritur ta miratojë këtë ligj në Kuvend, ndërsa partitë opozitare patën kundërshtuar fuqishëm plotësim ndryshimin e këtij ligji.
Grupet parlamentare të VV-së dhe AAK-së e patën dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen, duke e vlerësuar jokushtetuese.
Drejtori i Zyrës për Komunikim dhe Informim në Gjykatën Kushtetuese, në një përgjigje për Indeksonline, ka bërë të ditur se vendimi lidhur me këtë ankesë nuk është marrë ende.
“Kjo lëndë është ende duke u shqyrtuar. Sapo të merret vendimi, për këtë do të njoftohen të gjitha palët e përfshira në rast dhe vendimi do të publikohet edhe në ueb-faqen e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Gjykatës Kushtetuese.
Në bazë të ligjit në fjalë kategorizimet e veteranëve janë ndarë në këto kategori: Veterani luftëtar i mobilizuar në luftë nga fillimi i saj deri në fund me pension 250 euro; veterani luftëtar i mobilizuar në luftë nga data 5 mars 1998 deri në fund me pension 170 euro dhe veterani luftëtar i mobilizuar në luftë nga data 31 mars 1999 deri në fund me pension 120 euro.