Vendimi për rritjen e rrogës së kryeministrit dhe kabinetit qeveritar nxiti reagime të shumta nga ana e deputetëve të opozitës. E, kjo gjë në fillim fare nuk i bëri përshtypje kryeministrit derisa kjo lëndë u dërgua në Gjykatën Kushtetuese.
Pas këtij veprimi, Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj është dorëzuar përpara reagimeve të ashpra publike, si dhe interpretimit të Agjencionit Kundër Korrupsionit ndërsa, ministri i Financave, Bedri Hamza mori vendim që të pezullohet deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, vendimi për rritjen e rrogave.
Gjykata Kushtetuese ka pranuar ankesën me datën 29 janar të këtij viti, nga deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu. Sipas opozitës, vendimi për rritjen e rrogave është jo kushtetues.
Mirëpo, edhe pse ka kaluar më shumë se një muaj prej kur kjo ankesë është drejtuar në këtë institucion, Kushtetuesja ende nuk ka marrë një vendim në këtë drejtim.
Në një përgjigje për Gazeta Express, Gjykata Kushtetuese bën të ditur që kjo lëndë është duke u shqyrtuar.
“Kjo lëndë tashmë është duke u shqyrtuar nga Gjykata”, është përgjigja e Gjykatës Kushtese.
“Sapo të merret vendimi, për këtë do të njoftohen të gjitha palët e përfshira në rast dhe i njëjti do të publikohet edhe në ueb-faqen e Gjykatës”, kanë thënë më tej.
Për rritjen e rrogave, deputetet e VV-së dhe LDK-së, kishin thirr në interpelancë kryeministrin e vendit. Seanca e fundit për këtë çështje është mbajtur dje, ku ka pas përplasje të njëpasnjëshme mes kryeministrit dhe deputetëve të caktuar nga opozita.
Ishte shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili kërkoi nga Qeveria që të anulojë vendimin, siç e quajti ai, të kundërligjshëm, për rritjen e pagave të kryeministrit dhe kabinetit qeveritar
“Ky vendim bie ndesh me ligjin për financa publike. Rritja e pagave në baza vjetore nuk duhet të kalojë normën e bruto produktit në Kosovë. I tejkalon kompetencat e qeverisë dhe është konflikt i hapur interesi. Zyrtarëve të lartë u ndalohet të ndërmarrin veprime nëse në ndonjë mënyrë i përshtatet interesit personal”, deklaroi Hoti në adresimin e tij në Kuvendin e Kosovës.
Mirëpo edhe pse vazhdimisht deputetët kërkonin që kryeministri mos t’i rritë rrogat, ky i fundit vazhdonte të arsyetonte vendimin e tij.
Kryeministri Haradinaj para deputetëve ka thënë se paga e kryeministrit, ashtu siç është pa rritje, radhitet e 69-ta nga pozitat me paga të larta dhe kjo nuk i duket në rregull.
“Në listën e renditjes së nivelit të pagave, 69 zyrtarë tjerë marrin pagë më të madhe se kryeministri i Kosovës. Në bazë të renditjes së përgjegjësive, kryeministri i vendit dhe ministrat nuk mund të jenë numër 69”, ka thënë kryeministri.
Sidoqoftë, kryeministri dhe ministri i Financave kanë deklaruar se ashtu si do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese ashtu edhe do të mbetet kjo çështje.
“Pres përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese. Sido që të jetë ai vendim ne do ta respektojmë”, tha Haradinaj.