Gjykata Kushtetuese vendos për kërkesën e Vetëvendosjes lidhur me demarkacionin

Prishtinë | 30 Pri 2018 | 12:55 | Nga

Gjykata Kushtetuese ka vendosur se Ligji për Ratifikimin e Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në një vendim të publikuar sot, Gjykata Kushtetuese ka thënë se procedurat e ndjekura për miratimin e Ligjit për Ratifikimin e Kufirit Shtetëror me Malin e Zi kanë qenë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, raporton Insajderi.

“[Gjykata Kushtetuese vendosi, v.j] TË DEKLAROJË njëzeri se procedura e ndjekur për miratimin e Ligjit nr. 06/L-060 për Ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi është në pajtim me Kushtetutën”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

“TË DEKLAROJË njëzëri se Ligji nr. 06/L-060 për Ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit te Zi nuk është në kundërshtim me Kushtetutën”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese e kanë parashtruar 12 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje një muaj më parë. Ata pretendonin se në procesin e Miratimit të Ligjit për Demarkacionin janë gjetur shkelje anti- kushtetuese.

Por, Kushtetuesja ka vendosur që ta refuzojë këtë kërkesë të 12 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

“[Gjykata Kushtetuese vendosi] TA REFUZOJË njëzëri kërkesën e parashtruesve për të shqyrtuar Marrëveshjen Ndërkombëtare për Demarkacionin e Kufirit Shtetëror në mes të Republikës se Kosoves dhe Malit te Zi pasi që kërkesa nuk është I·atione matel’iae në pajtim me Kushtetutën dhe kështu jashtë fushëveprimit të juridiksionit të Gjykatës;”, thuhet në aktgjykim.

Parashtruesit e kërkesës – 12 deputetët e Vetëvendosjes – e kanë dorëzuar kërkesën në Gjykatë për vlerësim të  kushtetutshmërisë së “Ligjit nr. 06/L-060 për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.”

“Ata pretendojnë se procedura e ndjekur për miratim si dhe përmbajtja e Ligjit për Ratifikimin e Demarkacionit, janë në kundërshtim me nenet 1 [Përkufizimi i Shtetit], 2 [Sovraniteti], 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], 18 [Ratifikimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare], 125 [Parimet e Përgjithshme], 126 [Forca e Sigurisë e Kosovës], 127 [Këshilli i Sigurisë i Kosovës], 128 [Policia e Kosovës] dhe 129 [Agjencia e Kosovës për Inteligjencë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në aktgjykim.

 

Të ngjashme