Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka konstatuar të drejtë nismën për amendamentimin e Kushtetutës me Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje.
Më 22 tetor 2018, deputetja e Partisë Socialdemokrate dhe nënkryetarja e Kuvendit, Aida Dërguti, me mbështetjen e 80 deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe përmes Kryetarit të Kuvendit, kishte inicuar kërkesën për vlerësimin e kushtetueshmërisë nga Gjykata Kushtetutese, për propozim amendamentin kushtetutes, për t’ia shtuar një paragraf të ri, pas paragrafit 8 të nenit 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare] të Kushtetutës, respektivisht të shtohet edhe paragrafi 9, si në vijim:
“(9) Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje”.
Gjykata konstatoi se kjo nuk zvogëlon asnjë nga të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës dhe për më tepër, ky amendament vetëm i avancon dhe i zhvillon këto të drejta.
Kjo konventë cakton standarde të rëndësishme në fushën e dhunës kundër grave dhe do të duhej të bëhej pjesë e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Konventa ka në qëllimin e vet “mbrojtjen e grave nga të gjitha format e dhunës, si dhe parandalimin, ndjekjen penale dhe eliminimin e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje”.
Përmes kësaj konvente, Shteti i Republikës së Kosovës siguron tolerancë zero ndaj dhunës kundër grave. Shteti duhet të ketë përgjegjësi nëse nuk i përgjigjet shkeljes të të drejtave të njeriut që i parasheh kjo konventë.