Dy prindër në Nju Jork u detyruan që t’i drejtohen gjykatës për të dëbuar nga shtëpia djalin e tyre 30-vjeçar.
Michael Rotondo ishte kthyer në shtëpi në moshën 22-vjeçare, pas një përpjekjeje për të gjetur rrugën e tij në jetë, e prej 8 vitesh jetonte me prindërit që paguanin edhe për shpenzimet e tij, meqë ai nuk punon.
Christina dhe Mark Rotondo, më në fund vendosën se nuk mund të duronin më, e në shkurt të këtij viti nisën një seri prej 5 letrash paralajmëruse për djalin e tyre, duke i kërkuar që të ikte nga shtëpia.
Një nga këshillat e prindërve ishte: Ka punë edhe për ata me histori të varfër pune, si ti! Luaj vendit dhe gjej punë!
Por, djalit përtac nuk i pëlqeu shumë reagimi i prindërve dhe e çoi çështjen në gjykatë. Gjykata e Shkallës së Parë në Nju Jork nuk preferoi të përzihej dhe çështja kaloi në Gjykatën e Lartë.
Pas një gjyqi rekord, për kohën e shkurtër që zgjati, gjykatësi vendosi në favor të prindërve dhe i dha Michaelit një letër dëbimi.
Megjithëse djali ngulte këmbë se meritonte të paktën 6 muaj paralajmërim për t’u larguar nga shtëpia, gjykatësi u tregua mjaft i prerë dhe i tha të nxitonte, për të mos e detyruar të merrte masa të tjera. Para medieve Michaeli e cilësoi vendimin një padrejtësi, por duket se tashmë e ka bërë gati valixhen.