Gjykata Themelore në Pejë,ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, të dyshuarit Ardian Qelaj, për shkak të veprës penale të lëndimit të lehtë trupor dhe asgjësim apo dëmtim të pasurisë.
Një vendim i tillë është marrë nga gjykatësi i procedurës paraprake, Shaqë Curri, me 20 nëntor të këtij viti, pas seancës dëgjimore të mbajtur në Gjykatën në Pejë.
Kërkesën për caktimin e paraburgimit e ka bërë prokurorja e çështjes, Lumturije Hoxha, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas gjykatësit të çështjes Curri, masa e paraburgimit ndaj të dyshuarit është e nevojshme, me arsyetimin se është plotësuar dyshimi i bazuar mirë se i dyshuari Qelaj ka kryer veprat penale në bazë të provave të cilat gjenden në shkresat e lëndës.
Sipas gjykatësit, gjithashtu ekziston mundësia që me ndodhjen e të dyshuarit në liri, i njëjti të arratiset, duke marrë parasysh faktin se ai pas ngjarjes ka qenë në arrati dhe nuk iu ka përgjigjur organeve të ndjekjes.
Poashtu sipas gjykatësit Curri, ekziston edhe mundësia që i dyshuari të ndikojë në dëshmitarët dhe të dëmtuarit, në rast se i njëjti gjendet në liri, si dhe të përsërisë veprën penale.
Tutje, në vendimin e gjykatës theksohet se janë vlerësuar edhe rrethanat tjera për caktimin e një masë më të lehtë, mirëpo në rastin konkret masat tjera më të buta nuk ofrojnë siguri për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale ndaj të dyshuarit.
Ndryshe, sipas aktvendimit të hetimeve të filluara nga Prokuroria Themelore në Pejë, me 19 nëntor 2019, theksohet se ekziston dyshimi i arsyeshëm se i pandehuri Ardian Qelaj, së bashku me të pandehurin Mehmet Kollqaku i cili ndodhet në arrati, u kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarve Leotrim Murtezaj, njëherit drejtor i inspeksionit në Komunën e Pejës, si dhe dy zyrtarëve të kësaj drejtorie, Mentor Beqirit dhe Dardan Bërlajollit.
Sipas hetimeve, derisa të dëmtuarit më 16 nëntor 2019 kanë qenë duke qëndruar në lokalin “Don Caffe House”, që gjendet te parku i qytetit të Pejës, rreth orës 23:00, aty shkojnë të pandehurit të cilët i provojnë të dëmtuarit me fjalë ofenduese e pastaj fillojnë t’i sulmojnë fizikisht duke i goditur me grushte dhe shishe qelqi në pjesë të ndryshme të trupit.
Të pandehurit dyshohen poashtu se në natën kritike, në bashkëveprim, kanë dëmtuar invetarin e lokalit “Don Caffe House” dhe atë një kompjuter, loptop, tavolina, të gjitha në vlerë prej 3 mijë euro, gjatë rrahjes të dëmtuarve.