Gjykata ndërkombëtare për gjenocidin serb – duhet presion ndërkombëtar e ndryshim i Ligjit të Speciales

Prishtinë | 08 Maj 2021 | 08:16 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Formimi i një gjykata ndërkombëtare për gjenocidin që Serbia e ka kryer në Kosovë mund të ndodh vetëm nëse ofron mbështetje bashkësia ndërkombëtare, por edhe të ndryshohet Ligji aktual për Gjykatën Speciale.

Avokati Tomë Gashi në një intervistë për Ekonomia Online, se në ndryshimin e Ligjit të Speciales duhet që të përfshihen të gjitha krimet serbe që janë kryer në Kosovë.

“Unë besoj që ne e kemi humbur hapin në kohë dhe në asnjë variant nuk është dashur të lejohet formimi i Gjykatës Speciale në formën siç është formuar një gjykatë raciste dhe për Shqiptarë. Por nëse është dashur të formohet një gjykatë e tillë e cila do të ishte e ngjashme si me gjykatën me tribunalin e Hagës atëherë do të duhej të përfshiheshin të gjithë krimet e pretenduara pa marrë parasysh kush i ka kryer. Ne kemi pasur në Kosovë një luftë të përfshirë në mes dy palëve”.

“Është e mundshme që të formohet një gjykatë ndërkombëtare për krime të luftës për gjenocidin që Serbia e ka kryer në Kosovë. Mirëpo kjo përveç iniciativës fillestare të Kosovës duhet të jetë e bashkuar nga bashkësia ndërkombëtare nga shtetet e fuqishme dhe me siguri që në një presion ndërkombëtar një gjykatë e tillë mund të formohet. Por është shumë më mirë që të ndryshohet edhe Ligji për Gjykatën Speciale dhe të parashihen  të gjitha krimet serbe që janë kryer në Kosovë”.

Ai thotë se gjykatën ndërkombëtare nuk mund ta formojë Kosova sepse nuk është pjesë e OKB-së, por bashkësia ndërkombëtare.

“Gjykatë ndërkombëtarë nuk mund të formojë një shtet në këtë rast Kosova. Gjykatën ndërkombëtare e formon bashkësia ndërkombëtare. Ne nuk jemi pjesë e OKB-së, kështu që do të duhej të ishte një iniciativë e Kosovës por të përkrahura nga shtete e fuqishme të tjera. Për formimin e një Gjykate Speciale për krimet e luftës të Serbisë të kryera në Kosovë mund të jenë vetëm SHBA-ja dhe askush tjetër”, tha ai.

Gashi shtoi se institucionet e Kosovës, Prokuroria e Kosovës, Policia e Kosovës dhe organet tjera që merren me hetimin e krimeve, janë të mjaftueshme që Kosova të kërkojë krijimin e një gjykatë.

“Ne jemi të sigurt që institucionet e Kosovës, Prokuroria e Kosovës, Policia e Kosovës dhe organet tjera që merren me hetimin e krimeve të Serbisë të kryera gjatë luftës në Kosovë, janë të mjaftueshme që të kërkojmë krijimin e një gjykatë ndërkombëtar për hetimin dhe akuzimin e krimeve të Serbisë. Do të duhej të bëhej një presion më i madh ndërkombëtar që të kemi një gjykatë të tillë ndërkombëtare për hetimin, gjykimin dhe dënimin e krimeve serbe në Kosovë përndryshe situata mund të mbetet kështu. Është një numër shumë i vogël i kriminelëve të Serbisë që janë gjykuar për krimet e tyre deri në gjenocid ndaj ne shqiptarëve”, shtoi Gashi.

Edhe avokati Taulant Hodaj në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se që të formohet një gjykatë ndërkombëtare duhet të miratohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Hodaj theksoi se nuk është e lehtë të themelohet një gjykatë ndërkombëtare, sepse fillimisht do të duhej të ndryshohej ligji për Specialen, raporton EO.

“Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje duhet të kuptojmë se si është baza ligjore për një gjykatë ndërkombëtare. Baza ligjore për një gjykatë ndërkombëtare është nëse miratohet me këshill të sigurimit të OKB-së siç ka qenë tribunali ndërkombëtar për ish-Jugosllavi ose nëse bëhet me një marrëveshje ndërshtetërore me një organizatë ndërkombëtare apo me shtete të ndryshme. Pak a shumë siç është modeli i Gjykatës Speciale ku edhe është bërë amendament kushtetues, por edhe ka marrëveshje ndërkombëtare me shtetin e Holandës për funksionalizimin e kësaj Gjykate Speciale. Këto janë dy baza ku mund të bëhet një lloj gjykatës penale ndërkombëtare”.

“Në rastin e Kosovës ne e kemi vetëm duhet që të specifikohet, ndoshta ligji të ndryshohej po kjo në koordinim të ngushtë me akterët që kanë formuar Gjykatën Speciale që t’i zgjerohet juridiksioni gjykatës speciale të detajizohet që ata kanë të drejtë dhe do të duhej të merret me të gjitha krimet që kanë kryer në Kosovë dhe të njëjtit kanë kapacitete të mëdha dhe të merren edhe me krimet serbe që janë kryer në Kosovë sepse është e mundimshme të themelohet një gjykatë ndërkombëtare penale por nuk është lehtë”.

Sipas tij, është mirë që të lobohet që Speciales t’i jepen atribute më të mëdha dhe të merret edhe krimet serbe ndaj Kosovës.

“Ndoshta është e udhës vetëm të lobohet në atë drejtim që Gjykata Speciale t’i jepen atribute më të mëdha dhe të merret edhe krimet serbe ndaj Kosovës. Por unë mendoj veç e ka këtë bazë ligjore sepse nuk e ka të kufizuar veç për krimet e shqiptarëve ndaj serbëve, por duhet të bisedohet me shtete mike me ShBA-në që kanë qenë shtysë për këtë Gjykatë Speciale të zgjerohet mandati i saj dhe të merret me të gjitha krimet. Është e themeluar ka kapacitete, ka prokurorë, gjyqtarë dhe është me një vend të drejtë”, shtoi Hodaj.

Të ngjashme