Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me seli në Hagë shpalli të të papranueshme kërkesën e Driton Lajçit, drejtuesit të Zyrës qeveritare për mbrojtje juridike të të akuzuarve potencialë nga Dhomat e Specializuara, për të vlerësuar kushtetutshmërinë e procedurës gjatë intervistimit përpara Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Prokuroria e Specializuar në Hagë po heton krimet e pretenduara të kryera nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në periudhën midis janarit të vitit 1998 dhe dhjetorit 2000.
Radio Evropa e Lirë, më 15 nëntor 2019 ka shkruar se Zyra e prokurorit të Specializuar në Hagë po bën hetime për rolin e Zyrës së Qeverisë për mbrojtje juridike të të akuzuarve potencialë nga Dhomat e Specializuara, si dhe për drejtuesin e kësaj zyre, Driton Lajçin.
Hetimi po bëhet për shkak të pengimit të mundshëm të drejtësisë, përfshirë edhe pretendimin për shkelje të neneve të Kodit Penal të Kosovës, të cilat kanë të bëjnë me pengimin e provave ose procedurave zyrtare, si dhe të frikësimit gjatë zhvillimit të procedurës.
Lajçi, i cili është intervistuar në Hagë, më 17 tetor, është mbrojtur në heshtje, për shkak se, siç ka thënë, me gjithë insistimin e tij, nuk është informuar paraprakisht se për çfarë vepra penale specifike bëhet fjalë, për bazën e provave për dyshim se ka kryer vepër penale, ndërkaq që për pretendimet specifike nuk është njoftuar as gjatë intervistimit.
Meqenëse prokurori nuk zbuloi provat, të cilat, siç thuhet në kërkesë, do ta ndihmonin avokatin që të këshillonte klientin e tij në mënyrë të duhur, Lajçi vendosi të refuzojë të përgjigjet gjatë intervistimit.
Në kërkesën për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së procedurës së intervistimit, gjithashtu thuhet që gjatë intervistimit, prokurori “në mënyrë të vazhdueshme dhe jokorrekte e ka pyetur Lajçin nëse refuzimi i tij për t’u përgjigjur ndaj pyetjeve bazohet në të drejtën e tij për lirinë ndaj vet-inkriminimit”.
Avokati ka shtuar që e drejta për të heshtur dhe e drejta për lirinë ndaj vet-inkriminimit, janë të drejta të ndara, dhe argumentoi se biseda e tij me prokurorin nuk mund të ishte e pranueshme në procedurat e aktakuzës.
Prandaj në kërkesën e tijinsistoi që intervista e Lajçit e 17 tetorit të konsiderohej e paligjshme dhe e papranueshme.
Megjithatë, më 13 janar, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese në Hagë, e përbërë nga gjyqtarët Vidar Stensland, Roland Dekkers dhe Antonio Balsamo, shpalli kërkesën për rishikim të kushtetutshmërisë së procedurës së intervistimit të të papranueshme.
Konkretisht, në vendimin e Dhomës thuhet se, në përputhje me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë, është detyrë e Dhomës të vlerësojë nëse parregullsitë e paraqitura nga pala ankuese kanë shkelur të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë, por edhe se nuk është funksion i Dhomës të merret me gabime që dyshohet se janë bërë gjatë procedurës penale, përveç nëse gabime të tilla mund të shkelin të drejtat dhe liritë themelore të mbrojtura me Kushtetutë.
“Roli i Dhomës nuk është të vendosë nëse thirrjet nga prokuroria ose procedurat e intervistimit shkelin ligjin ose Rregulloren e Procedurës dhe Provave. Paneli mund të marrë në konsideratë vetëm nëse pretendimet për mospërputhjen e prokurorisë me dispozitat përkatëse të Rregullores së Procedurës dhe Provave ka shkelur të drejtën e ankuesit për një gjykim të drejtë të garantuar me Kushtetutë, “thuhet në vendim.
Dhoma gjithashtu tha se kërkesa e Lajçit ka të bëjë me fazën e hershme të procedurës penale, përkatësisht intervistën me prokurorin, i cili është ende duke hetuar, dhe nuk i referohet gjykimit para gjykatës, siç parashikohet nga neni i Kushtetutës së cilës i referohet paraqitësi i kërkesës.
“Duke marrë parasysh se nuk ka pasur gjykim, paneli nuk mund të spekulojë në këtë fazë se a do të ketë dhe çfarë efekti do të ketë thirrja e kontestuar dhe procesi i intervistimit në një gjykim të drejtë, nëse do të ketë” thuhet në vendimi.
Në vendim gjithashtu theksohet se edhe në rast të një gjykimi,parashtruesi i kërkesës do të jetë në gjendje të ngrejë çështjen e një gjykimi të drejtë nëse e konsideron veten viktimë të shkeljeve të pretenduara.
“Prandaj, dhoma konstaton se kërkesa është e parakohshme dhe duhet të shpallet e papranueshme”,thuhet në vendim.
Ne anën tjeter, prokurori kryesor Jack Smith, më 18 nëntor, ka kërkuar nga Dhoma e Specializuar në kuadër të Gjykatës Kushtetuese me seli në Hagë, që dokumentin ta klasifikojë sërish si të besueshëm dhe në mënyrë që të mbrohet besueshmëria dhe integriteti i hetimit në vazhdim.
Dhoma e Gjykatës Kushtetuese nuk pranoi ta bëjë këtë, dhe vetë Lajçi ishte kundër.
Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me seli në Hagë është instanca e fundit e cila interpreton Kushtetutën lidhur me pyetjet që kanë të bëjnë me punën e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Krimet kundër zbatimit të drejtësisë, gjegjësisht krimet që bëhen gjatë proceseve gjyqësore, sikurse që janë: shkatërrimi i provave, frikësimi i dëshmitarëve dhe të tjera, është ndër pjesët mbi të cilat Gjykata Speciale ka kompetencë, përfshirë edhe krimet kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe veprave tjera penale, sipas ligjeve të Kosovës, të cilët ndërlidhen me pretendimet nga raporti i eurodeputetit zviceran, Dick Marty, në vitin 2011./REL