Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar më katër vite burg, Agon Misinin për veprën penale “organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Misini akuzohej se përmes vendkalimit kufitar Hani i Elezit kishte kaluar në territorin e Maqedonisë, ku me pasaportë të falsifikuar kishte udhëtar drejt Sirisë.
“(Misini) ka shkuar në territorin e Republikës së Maqedonisë dhe ka kontaktuar me përkrahës të organizatës terroriste ISIS, dhe më pastaj në kohë të pavërtetuar të muajit gusht 2015, me pasaportë të falsifikuar në emër të një personi nga Shkupi përmes Greqisë ka udhëtuar me autobus për në Stamboll, ku nga aty ka shkuar në kufi të shtetit të Sirisë”, thuhej në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Pas arritjes në Siri, sipas aktakuzës, Misini iu kishte bashkëngjitur organizatës terroriste grupit militant Shteti Islamik.
“Pas trajnimeve taktike dhe luftarake ka marrë pjesë aktive në luftërat e Sirisë ku edhe më 26.07.2017 është arrestuar nga forcat kurde, ku ka qëndruar deri më 19.04.2019, me ç‘rast edhe është riatdhesuar në Kosovë”, thuhej në aktakuzë.
Gjatë procesit gjyqësor, Misini që ishte riatdhesuar nga institucionet e Kosovës në prill të këtij viti, kishte pranuar akuzat me të cilat ngarkohej.