Gjykata njoftohet se njëri i akuzuar ka ndërruar jetë, shtyhet gjykimi për shitblerje të narkotikëve

Prishtinë | 04 Mar 2022 | 15:57 | Nga Ekonomia Online

Për shkak se në seancën e së premtes, gjykata u njoftua se i akuzuari R.B ka ndërruar jetë, është shtyrë shqyrtimi gjyqësor në rastin ku bashkë me Afrim Imerin ngarkohen për shitblerje të narkotikëve në Mitrovicë

Në seancë prezantoi vëllai i tashmë të ndjerit R.B, për të cilin deklaroi se ka tre vite që ka ndërruar jetë dhe për këtë solli një kopje të certifikatës së vdekjes në gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas, gjyqtari i rastit Veljko Vuqetiq deklaroi se gjykata e ka ftuar me ftesë të rregullt edhe të akuzuarin e dytë Imeri, për të cilin në fletëkthesë është konstatuar se nuk banon në adresën e dhënë.

Po ashtu, në këtë seancë ishte paraparë që të dëgjohet dëshmitari Behar Gara, por i njëjti mungoi në seancë.

Lidhur me mungesën e dëshmitarit, gjykatësi Vuqetiq njoftoi se gjykata ka dërguar ftesat e rregullta për seancën e sotme, por është konstatuar se i njëjti nuk banon në adresën e dhënë.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, e njëjta është shtyrë për kohë të pacaktuar.

Për seancën e radhës, gjykata do të kërkojë nga policia që të gjejë adresat e sakta të personave që nuk ishin prezent në shqyrtimin e sotëm.

Ndryshe, Prokuroria Publike e Qarkut, më 5 janar 2005 ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve R.B dhe Afrim Imeri, të cilët thuhet se paautorizim kanë poseduar e pastaj kanë shpërndarë e transportuar me qëllim shitje drogën, duke vepruar si anëtarë grupi së bashku me një person të panjohur.

Sipas marrëveshjes së tyre paraprake, thuhet se së pari më 13 dhjetor 2004, i pandehuri Afrim në fshatin Poterqan i Epërm, Komuna e Rahovecit ia ka dhënë drogën e llojit “heroinë” në sasi prej 1064 gramëve, të pandehurit R.B.

Sipas aktakuzës, ky i fundit këtë sasi të drogës e ka marrë, e ka vendosur në automjetin e markës “Ford Siera” dhe me të e ka transportuar deri në Mitrovicë, me qëllim qe këtë sasi të drogës ta shpërndajë për shitje, e pastaj më 16 dhjetor 2004, përmes telefonit mobil ka kontaktuar me një person të panjohur me të cilin kanë caktuar vendin dhe kohën e takimit për t’ia dorëzuar në shitje këtë sasi të drogës këtij personi.

Por, aktakuza thotë se duke shkuar për te vendi i takimit, gjatë transportimit në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Mitrovicë, i pandehuri R.B është ndaluar nga patrolla e policisë dhe gjatë bastisjes kjo sasi e drogës është gjetur dhe sekuestruar kurse i pandehuri R.B është arrestuar.

Me këtë, thuhet se kanë kryer veprën penale, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe e substancave psikotrope”, nga neni 229, par.4 pika 1 lidhur me par. 2 dhe 1, lidhur me nenin 23 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Të ngjashme