Gjykata Themelore e Prishtinës ka marrë sot vendim refuzues për kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, e cila kishte kërkuar pezullimin e pensioneve për më shumë se 19 mijë veteranë të luftës, deri në përfundimin e procedurës penale.
Këtë e ka konfirmuar avokati i Agim Çekut, Ramë Gashi.
Gashi ka thënë se kjo kërkesë refuzuese vlen deri në përfundim të gjithë procesit gjyqësor.
“Po gjykata e ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për pezullimin e pensioneve të 19 mijë e 500 veteranëve dhe ky vendim vlen deri në përfundim të komplet procesit gjyqësor”, ka treguar Gashi.
Javën e kaluar gjatë seancës gjyqësore ndaj rastit të veteranëve, prokurorja kishte kërkuar që të bëhet pezullimi i pensioneve për veteranët mirëpo, Hysni Gucati, kishte thënë se ky pezullim i pensioneve për 19 mijë veteranë të UÇK-së, Organizata e Veteranëve të Luftës do të organizojnë protestë të ashpër.
Kujtojmë se Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë për veteranët mashtrues vitin e kaluar.
Nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.
Aktakuza thotë se të akuzuarit, si anëtarë të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në cilësinë e personave zyrtarë, me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre, si dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’ua mundësojnë personave të tjerë të përfitojnë kundërligjshëm në vazhdimësi në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Speciale ka propozuar që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurit për veprën penale që u vihet në barrë, të shpallen fajtorë dhe të gjykohen sipas ligjit.