Gjykata rrëzon aktakuzën ndaj Klinakut për kanosje kundrejt Kurtit

Prishtinë | 19 Dhj 2025 | 11:18 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar kërkesën për hudhjen e aktakuzës ndaj Faton Klinakut dhe ka pushuar procedurën penale ndaj tij për veprën penale “Kanosja” ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ndërsa procedura penale do të vazhdojë vetëm ndaj të akuzuarit tjetër, Nuredin Selmani.

Në seancën fillestare, më 3 shtator 2025, Faton Klinaku dhe Nuredin Selmani ishin deklaruar të pafajshëm.

Klinaku kishte shkruar rrjetin social “Facebook” më 29 gusht 2023 se: “më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”.

Aktvendimi i siguruar nga “Betimi për Drejtësi” është nxjerrë më 20 nëntor 2025 nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Rahman Beqiri, pas shqyrtimit të kundërshtimit të provave dhe kërkesës për hedhjen e aktakuzës, të paraqitur nga mbrojtësi i Klinakut, avokati Ramë Dreshaj.

Ndaj këtij aktvendimi nuk lejohet ankesë në Gjykatën e Apelit, transmeton Klankosova.tv.

Sipas aktvendimit, Gjykata ka vendosur që aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e datës 1 gusht 2025, të hudhet pjesërisht dhe procedura penale të pushohet vetëm në raport me të akuzuarin Faton Klinaku, i cili akuzohej për veprën penale “Kanosja” nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjykata ka konstatuar se nuk ka pasur kërkesë pasurore-juridike, ndërsa shpenzimet e procedurës penale që lidhen me këtë pjesë të aktakuzës do të mbulohen nga mjetet buxhetore të Gjykatës.

Në aktvendim theksohet se, pas plotfuqishmërisë së tij, procedura penale do të vazhdojë vetëm ndaj Nuredin Selmanit, i cili vazhdon të përballet me akuzën për veprën penale “Kanosja” sipas të njëjtit nen të Kodit Penal, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 1 gusht 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Faton Klinakut dhe Nuredin Selmanit, të cilët akuzohen për kanosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, Faton Klinaku akuzohet se më 29 gusht 2023, në Prishtinë, me dashje dhe me qëllim që ta frikësojë dhe detyrojë tani të dëmtuarin, Albin Kurti, në cilësinë e tij si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të ndërmarrë ose mos ndërmarrë veprime të caktuara në kuadër të ushtrimit të detyrës së tij zyrtare, e kishte kanosur publikisht përmes rrjetit social Facebook, duke postuar shkrime kërcënuese.

“Aq shumë i dëshpëruar votuesi i tij sa që tha: Votën ia dhashë për ndryshim, e ndryshim lëre që nuk ka bërë por po shkojmë edhe më shumë teposhtë si vend dhe s’ka mbetur tjetër gjë pos me ikë jashtë. I thashë: As se kam votu, as ndryshim për të mirë kurrsesi që nuk kam pritur nga ai, e sa i përket daljes jashtë, më parë e vras Albin Kurtin se sa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova. Kosovën nuk duhet e as që guxojnë ta lëshojnë ata që kanë luftuar për të”, citohet të ketë shkruar Klinaku në Facebook.

Ndërsa, pas reagimeve të opinionit publik lidhur me këtë kërcënim, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Klinaku më 30 gusht 2023 ka përsëritur një shkrim po ashtu me përmbajtje të njëjtë kërcënuese ndaj tani të dëmtuarit Kurti.

“Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras Albin Kurtin sesa ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”, citohet në aktakuzë të ketë shkruar Klinaku.

Me këto veprime, Klinaku akuzohet se publikisht dhe seriozisht e ka kanosur me vrasje të dëmtuarin Albin Kurti, për shkak të punës së tij zyrtare, si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Andaj, me këto veprime, Klinkau ngarkohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal.

Andaj, me këto veprime, Klinkau ngarkohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal.

Ndërkaq, në pikën dy të aktakuzës, Nuredin Selmani akuzohet se më 30 gusht 2023, në Drenas, me dashje dhe me qëllim që ta frikësojë dhe detyrojë tani të dëmtuarin, Albin Kurti, në cilësinë e tij si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të ndërmarrë ose mos ndërmarrë veprime të caktuara në kuadër të ushtrimit të detyrës zyrtare, e ka kanosur publikisht në rrjetin social Facebook, duke iu referuar postimit kërcënues të bërë nga i pandehuri Faton Klinaku.

Selmani ngarkohet se kishte postuar një fotografi në të cilën ishte montuar fotoja e të dëmtuarit Kurti, krahas asaj të Klinakut, duke e shoqëruar me një shkrim kërcënues të adresuar ndaj të dëmtuarit.

“E mbështes Faton Klinakun”, “Veç ni telefon ma ban Faton, aty mki për çka të ka nevojë, mezi s’po pres me ja nisë”, citohet në aktakuzë postimi i Selmanit.

Po atë ditë, në mbrëmje, thuhet se i njëjti u inkuadrua drejtpërdrejt në emisionin “Debat Plus” në TV Dukagjini, ku po trajtohej debati me temë “OVL-UÇK vs Kurti”. Aty thuhet se përmes video-linkut, pas pyetjeve të moderatorit të emisionit, i pandehuri, sipas aktakuzës, kishte deklaruar “Unë konsideroj që çdo njëri i cili bon të këqija siç bon Albin Kurti, edhe po të isha unë në vendin e tij, duhet të vritet patjetër, sepse ajo është tradhti ndaj atdheut”.

Andaj, me këto veprime, Selmani ngarkohet se ka kanosur publikisht dhe seriozisht për vrasje të dëmtuarin Albin Kurti, për shkak të punës së tij zyrtare, e të cilat kërcënime, thuhet se i kishte shprehur edhe me disa bashkëbisedues tjerë, gjatë komunikimeve telefonike që i janë gjetur pas ekzaminimit të telefonit të tij, duke përfshirë edhe disa fotografi, ku i pandehuri shihet në posedim edhe të disa armëve të gjata luftarake.

Me këto veprime, i pandehuri Nuredin Selmani ngarkohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal.

Të ngjashme